Aktualitet

Atentati ndaj ish-prokurorit Ndoja/ GJKKO dënon me burg përjetë Plaurent Dervishajn!

Atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja ku mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku dhe u plagosën Ndoja e Aleksandër Laho, Gjykata e Posaçme dënon me burgim të përjetshëm Plaurent Dervishajn, si organizator. Për Julian Meçajn, i cili ishte mes atyre që qëlloi, gjykata vendosi 35 vite burg.

SPAK-u kishte kërkuar të njëjtin dënim duke e akuzuar Dervishajn, pjesë e Bandës së Durrësit, se për atentatin e 7 viteve më parë veproi në bashkëpunim me Meçajn dhe me emra të tjerë.

Atentati ndaj ish-prokurorit Ndoja, sot deputet demokrat u zbardh plotësisht nga transkriptimi i bisedave në SKY. Ngjarja ndodhi me 1 nëntor 2019, ndërsa Ndoja dhe shoferi i tij po udhëtonin në shoqërinë e Aleksandër Lahos, personazh i krimit të organizuar, i shpallur në kërkim dhe i njohur si “Rrumi”.

Ndoja mohoi të ketë patur kontakte të mëhershme me Lahon dhe dëshmoi se njihte vëllanë e tij. Udhëtimin në të njëjtën makinë e quajti “rastësi”.

Me vendim të formës së prerë për atentatin e 1 nëntorit të 2019, janë dënuar më herët Redjan Rraja me burgim përjetë, Arjol Halilaj me 35 vite, Ramazan Rraja me 6. Me 5.4 vite është dënuar Genti Ndërjaku, me 4.8 Bashkim Haxhia dhe Endrit Sinani, si dhe me 4 vite e 4 muaj, Julian Pjetri.