Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me Bashkim Smakajn, Isni Kilajn e Fadil Fazliun kanë dalë para Dhomave të Specializuara në Hagë. Ndaj Thaçit, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencën, Smakaj, ish-kryekomunarit të Malishevës, Kilaj, si dhe Fazliut, më 29 nëntor u ngrit aktakuza e re për ndikimin te dëshmitarët. Kjo në gjyqin për krime lufte e kundër njerëzimit në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë, kundër ish-drejtuesve të UÇK-së.
Krejt papritmas, para 2-3 ditësh u njoftova për akuzën e re nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. E di se Kosova është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme. Por, unë nuk jam pjesë e garës elektorale, unë nuk paraqes rrezik për askënd. Prandaj, kërkoj edhe sot, unë respektoj dhe besoj në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, nga të gjithë, kudo që jeni ulur, në cilëndo anë apo në çdo uniformë që jeni në këtë sallë, të respektohen Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës.
Të akuzuarit pranë Dhomave të Specializuara kanë 30 ditë afat që të deklarohen rreth akuzave ndaj tyre.
Ende nuk i kam lexuar në tërësi, prandaj duhet t’i lexoj që t’i kuptoj, tha Thaçi.
Pas deklaratës, gjykatësja dha një pushim të shkurtër për shkak se avokatja e Thaçit kërkoi kohë që t’i jepte udhëzime ish-presidentit. Thaçi sqaroi se kur fillimisht u pyet nga gjyqtarja nëse i ka kuptuar akuzat ndaj tij, ai nuk e kishte kuptuar mirë pyetjen.
Palëve, gjykatësja iu kërkoi që të vendosin një datë për vetëdeklarimin e Thaçit. Mbrojtja tha se është dakord me 7 janarin 2025. Gjykatësja Marjorie Masselot bëri të ditur se do të lëshojë një vendim për këtë çështje. Gjatë paraqitjes së parë, që zgjati rreth 45 minuta, Hashim Thaçi u shpreh se ai, familja, si dhe shoqëria kosovare presin përfundimin e procesit ndaj tij e theksoi se pret drejtësi.
Gjykatësja Marjorie Masselot vendosi që Thaçi të vijojë të qëndrojë në qendrën e paraburgimit ku tashmë gjendet prej katër vitesh edhe pse avokatja mbrojtëse, Nina Tavakoli, përsëriti se nuk ka asnjë rrezik që klienti i tij të arratiset.
Ndaj Thaçit, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të komunës Malishevë, Isni Kilaj, si dhe Fadil Fazliut, më 29 nëntor u ngrit aktakuza e re, e bërë publike më 6 dhjetor.