Gjenerali amerikan në pension, Wesley Clark, sot vazhdon dëshminë në mbrojtje të Hashim Thaçit në Hagë. Dje vuri në dukje se Thaçi nuk e udhëhiqte UÇK-në dhe se ushtria nuk kishte një zinxhir komandues.
Clark, i cili drejtoi fushatën ajrore të NATO-s kundër shënjestrave ushtarake serbe në vitin 1999, u shpreh se nuk besonte se Hashim Thaçi komandonte personat që kryen akte dhune pas çlirimit të Kosovës.
Ndërkaq, i pyetur nëse ka qenë e mundur që UÇK-ja të ketë pasur zinxhir komandues funksional me hierarki të plotë e NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara të mos e kenë ditur, Clark u përgjigj shkurtimisht:
Jo.
Ai tha se nuk e di nëse Thaçi ka luftuar dhe se nuk ishte në dijeni për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së. Ish-ushtaraku i lartë i SHBA-ve është dëshmitari i fundit i thirrur nga mbrojtja e Thaçit dhe pritet ta mbyllë dëshminë, ditën e nesërme.
Gjyqi ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, si dhe Rexhep Selimit po shkon drejt përfundimit në Gjykatën Speciale me seli në Hagë. Që të gjithë i mohojnë akuzat për krime lufte dhe kundër njerëzimit gjatë luftës së viteve 1998-1999.