Rajoni

Ish-presidenti i Kosovës, Thaçi dhe tre të akuzuar, sot dalin para Gjykatës Speciale!

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me tre të akuzuar të tjerë për ndikim te dëshmitarët, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj e Fadil Fazliu, po bëjnë paraqitjen e parë pranë Dhomave të Specializuara në Hagë. Ndaj Thaçit, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencën, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të komunës Malishevë, Isni Kilaj, si dhe Fadil Fazliut, më 29 nëntor u ngrit aktakuzë e re.

Në dokumentin me 15 faqe, thuhet:

Me katër të akuzuarit e tjerë, Thaçi u takua në qendrën e paraburgimit në Hagë e iu dha udhëzime si të dëshmojnë dëshmitarët në procesin ndaj tij.

Aktualisht, në Hagë po zhvillohet gjyqi ndaj Thaçit e të tjerë ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, të akuzuar për krime lufte dhe kundër njerëzimit. Tre ditë më parë, Kilaj, Smakaj e Fazliu u arrestuan dhe më pas u dërguan në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Ndërkaq, ndaj Kuçit gjykata lëshoi fletëthirrje për t’u paraqitur para Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë e kjo pritet nesër. Thaçi akuzohet se me Smakajn, Kilajn, Kuçin e Fazliun bashkërendoi “tri grupe të veçanta” për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të Prokurorisë në rastin kundër tij e të tjerëve për krime lufte.

Aktakuza pretendon se veprat penale kundër administrimit të drejtësisë u kryen nga 12 prilli 2023 deri më 2 nëntor të po atij viti, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit në Hagë mes Thaçit e personave të akuzuar.

Tashmë, Thaçi ngarkohet me tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, si dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Fazliu, Smakaj dhe Kilaj akuzohen për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, si dhe për mosbindje ndaj gjykatës. Kuçi përballet me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, janë dënuar për pengimin e drejtësisë deri tani. Ndërkohë, Specialja dha edhe dy dënime për krime lufte. Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës e është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë të Holandës.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që njihen si Gjykata Speciale, hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike e rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor 2000.