Amal Clooney ka ndarë së fundmi reflektime të sinqerta mbi mënyrën se si martesa me aktorin George Clooney dhe ardhja në jetë e fëmijëve kanë ndryshuar rrënjësisht jetën dhe karrierën e saj.
Avokatja e njohur ndërkombëtare për të drejtat e njeriut u martua me aktorin e Hollywood-it në vitin 2014, ndërsa dyshja bashkëthemeloi Fondacionin Clooney për Drejtësi në vitin 2016. Në vitin 2017 ata u bënë prindër të binjakëve Alexander dhe Ella, të cilët sot janë nëntë vjeç.
Duke folur në eventin Cartier Dialogue në Bangkok, Amal tregoi se më parë kishte një ndarje të qartë mes jetës profesionale dhe asaj private, por kjo ndryshoi pas martesës.
Më parë kisha një jetë pune dhe një jetë personale, të cilat ishin krejtësisht të ndara. Por kur u martova, kjo ndryshoi shumë
-tha ajo.
Ajo pranoi se në fillim u ndje e mbingarkuar nga vëmendja publike dhe perceptimi që vinte me famën e bashkëshortit të saj.
Fillimisht mendova: nuk mund ta imagjinoj veten duke bërë këtë apo atë, sepse të hënën duhet të jem në gjykatë
-u shpreh Amal, duke shtuar se me kalimin e kohës mësoi të menaxhonte më mirë ekspozimin publik dhe prioritetet e saj.
Sipas saj, familja dhe puna mbeten në qendër të jetës, por mënyra se si i balancon ato ka ndryshuar me kalimin e viteve.
Edhe George Clooney ka folur më herët për këtë transformim, duke pranuar se ardhja e fëmijëve i ka bërë të dy të rishikojnë mënyrën e jetesës dhe udhëtimet për punë.
Pas fëmijëve na u desh të ndryshonim shumë gjëra. Nuk mund të rrezikonim më si më parë
-ka thënë ai, duke kujtuar periudhat kur udhëtonte në zona lufte për projekte humanitare.
Sot, çifti jeton kryesisht në Francë dhe vazhdon aktivitetet e tyre humanitare përmes fondacionit, ndërsa shfaqen herë pas here në evente ndërkombëtare dhe gala bamirësie.