Italia po kthehet gjithnjë e më shumë në një nga destinacionet më të preferuara për dasma luksoze të yjeve botërorë të showbiz-it dhe biznesit ndërkombëtar.
Emra të njohur si George Clooney dhe Amal Alamuddin, Emily Blunt dhe John Krasinski, si dhe Jeff Bezos dhe Lauren Sánchez kanë zgjedhur Italinë për të kurorëzuar dashurinë e tyre, duke e kthyer vendin mesdhetar në një qendër të rëndësishme të dasmave elitare. Së fundmi, edhe Dua Lipa është përmendur mes figurave që kanë shtuar Italinë në listën e destinacioneve të preferuara për ceremoni luksoze.
Sipas një studimi të Qendrës së Studimeve Turistike të Firences, mbi 15 mijë çifte ndërkombëtare u martuan në Itali gjatë vitit 2024, duke shënuar një rritje prej 64% krahasuar me vitin 2019, para pandemisë. Çiftet amerikane përbëjnë rreth një të tretën e dasmave të huaja në vend.
Turizmi i dasmave ka gjeneruar rreth 2.2 milionë netë qëndrimi dhe afro 660 milionë euro të ardhura, duke u shndërruar në një sektor të rëndësishëm ekonomik në disa rajone të Italisë.
Organizatorët e dasmave e përshkruajnë këtë fenomen si një “mikroekonomi”, pasi përfshin një zinxhir të gjerë shërbimesh si hotele, katering, transport, floristë, fotografë dhe shërbime bukurie.
Ndër destinacionet më të kërkuara renditen Liqeni i Komos, Kapri, Bregu i Amalfit, si dhe rajone si Toskana dhe Pulia, të cilat po fitojnë gjithnjë e më shumë popullaritet për peizazhet dhe autenticitetin e tyre.
Një dasmë luksoze në Itali me 80–120 të ftuar mund të kushtojë nga 200 mijë deri mbi 250 mijë euro, pa përfshirë shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit të të ftuarve.