Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në një intervistë mediatike, tha se një parakusht për një marrëveshje që çon në një armëpushim 30-ditor midis Rusisë dhe Ukrainës është ndalimi i furnizimit me armë për Kievin. Më tej, Peskov hodhi akuza se është Ukraina ajo që nuk është gati për negociata, duke mohuar se është Putini ai që po frenohet. Ndërkohë, Zelensky i telefonoi Trump-it për ta informuar se marrëveshja e mineraleve ishte miratuar nga parlamenti i Kievit.
Kremlini iu përgjigj udhëheqësve europianë të mbledhur në kryeqytetin ukrainas Kiev pasi kancelari gjerman Merz kërcënoi me sanksione të reja kundër Moskës nëse Vladimir Putin nuk pranonte propozimin për një armëpushim 30-ditor.
Ne jemi mësuar me sanksione, ne tashmë e dimë si t’ia bëjmë dhe si të shmangim uljen e efekteve të tyre, u shpreh për mediat ruse, zëdhënësi i Putinit, Peskov.
Një reagim nga shefja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen:
Ne mbështesim propozimin për një armëpushim gjithëpërfshirës e të pakushtëzuar 30-ditor, që duhet të zbatohet pa parakushte për t’i hapur rrugën negociatave kuptimplotë të paqes. Tani, topi është në fushën e Rusisë. Ne jemi gati të mbajmë presion të fortë ndaj Rusisë dhe të vendosim sanksione shtesë të ashpra në rast të një shkeljeje të armëpushimit. Qëllimi ynë i drejtë dhe i fundit për paqen është i qartë për paqen në kontinent.
Më herët, udhëheqësit europianë deklaruan se mbështesin marrëveshjen e armëpushimit të Ukrainës, duke i bërë thirrje Rusisë që të “ndalojë pengimin e përpjekjeve për të siguruar paqe të qëndrueshme”.
Së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne i bëjmë thirrje Rusisë të pajtohet për një armëpushim gjithëpërfshirës e të pakushtëzuar 30-ditor, për të krijuar hapësirë për bisedime për një paqe të drejtë e të qëndrueshme.
Kështu thuhet në një deklaratë të përbashkët nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz dhe kryeministri britanik, Keir Starmer gjatë vizitës së sotme në Kiev.