Sport

As Casillas, as Buffon nuk ia dolën, ja rekordi historik i Botërorit që Unai Simon mund të vendosë ndaj Austrisë!

Në Botërorin 2026 kemi parë 3 versione të Spanjës, atë ndaj Kepit të Gjelbër, atë ndaj Arabisë Saudite dhe atë ndaj Uruguajit, por të treja këto ndeshje kanë pasur një emërues të përbashkët; asnjë gol i pësuar edhe pse rivalët nuk ishin nga më kërkuesit.

Pa shkuar më larg, Kepi i Gjelbër dhe Arabia Saudite i shënuan respektivisht 2 dhe 1 gol Uruguajit, ndërsa Spanjën nuk mundën ta surprizonin.

Tashmë portieri Unai Simon ka shkuar në 419 minuta pa pësuar gol në një kompeticion madhor. Për të parë golin e fundit e pësuar prej tij duhet të kthehemi në Katar 2022 pikërisht në ndeshjen e tretë të fazës së grupeve ndaj Japonisë e humbur 2-1 ku Ritsu Doan dhe Tanaka përmbysën avantazhin e La Roja me golin e Moratës; ishin në minutat 48 dhe 51. Këtyre minutave ku nuk llogarisim ato shtesë, iu shtojmë 120 minutat e ndeshjes me Marokun, Spanja humbi me penallti, por gjatë ndeshjes së luajtur nuk pësoi gola dhe më pas vijmë në SHBA, 270 minuta pa pësuar gol në ndeshjet me Kepin e Gjelbër, Arabinë Saudite dhe Uruguajin.

Në përgjithësi, Unai Simon e ka mbrojtur portën e Spanjës në 61 ndeshje me 48 gola të pësuar dhe me 26 sfida me portën e mbajtur të paprekur. Dhe këto shifra e afrojnë me 2 rekorde; atë të Spanjës e mban Iker Casillas me 476 minuta pa pësuar gol në një botëror. Nëse Unai e mban të paprekur portën ndaj Austrisë do të kalojë këtë rekord të bashkëkombasit të tij dhe do të vendosë në shënjestër një tjetër; atë të Walter Zengas.

Portieri legjendar italian në 517 minutat e para të Italisë në Botërorin 1990 nuk pësoi gol, deri në gjysmëfinale ndaj Argjentinës kur Caniggia barazoi golin e Schillacit në minutën e 67 me skuadrën Albiceleste që arriti të presë biletën për në finale pas serisë së penalltive. Nëse Spanja kualifikohet në 1/8 e finaleve dhe pa pësuar gol, Simon do të vendosë rekord botëror.