Aktualitet

Revolta qytetare e shtrirë në të gjitha Tiranën, reagon kryeministri: Protesta e bukur e qytetarisë ia ka lënë vendin filmit të vjetër të konfliktit

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me revoltën qytetare, e cila edhe pse nisi para parlamentit tashmë është shtrirë në të gjithë Tiranën.

Me anë të një postimi në rrjetin social X, kreu i qeverisë shkruan se protesta e bukur qytetare është shndërruar në një skenë konflikti dhe tensioni.

Rama shkruan se “thonjtë e politikës së dështimit dhe zemërimit po dalin në pah me pisllëkun e tyre karakteristik”.

“Protesta e bukur e qytetarisë, atdhedashurisë, pastërtisë, ia ka lënë vendin tanimë filmit të vjetër të konfliktit, sherrit, dhunës, ku thonjtë e politikës së dështimit dhe zemërimit po dalin në pah me pisllëkun e tyre karakteristik”, shkruan Rama.

Kujtojmë që prej orës 9:00 shumë qytetarë u mblodhën para Parlamentit, duke pritur me vezë dhe miell deputetët.

Situata herë pas herë është dominuar nga tensionet dhe përplasjet mes protestuesve dhe policisë, ku pati edhe shoqërime, mes tyre edhe aktivisti Gent Progni.

Protestuesit janë shprehur të vendosur se nuk tërhiqen deri në realizimin e kërkesës së tyre kryesore, dorëheqjen e kryeministrit Rama.