Live From Tirana Music

Jo thjesht një festival muzike, Sundance sjell natyrën, detin, njerëzit… Ja çfarë do të ndodhë në Zvërnec më 9-12 korrik!

Të ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, kanë qenë Megli Haskaj, Kejsi Kazdeda dhe Tezz, organizatorët e Sundance Festival që do të zhvillohet në Zvërnec, Vlorë, më 9-12 korrik. Një festival i dedikuar muzikës, eventeve, njerëzve dhe natyrës. Se çfarë të presim nga ky edicion, na kanë treguar vetë ata…

Pse keni zgjedhur Zvërnecin për këtë festival?

Kur e kemi menduar që ta bënim si festival, nuk donim që të kishim një lokacion që ishte deri diku i konsumuar. Nëse flasim për Drimadhen, kanë ndodhur shumë festivale, ndodhin ende këtë vit. Kështu që donim një destinacion i cili ushte në jug, që kishte pjesën e natyrës. Sepse Sundance është për natyrën, për njerëzit, shumë spirituale si gjë. Në të njëjtën kohë donim që të ishte një lokacion ku kishte det, sepse gjithmonë Sundance ka qenë në det. Ndodhi si zgjedhje para një viti. Zona që kemi zgjedhur janë resorte që kanë shumë vite të ndërtuara, janë biznese lokale të cilat në një mënyrë apo në një tjetër ne po i suportojmë, duke i çuar të gjithë pjesëmarrësit e Sundance nga e gjithë bota.

Cilët do të jenë disa nga DJ-të që do të marrin pjesë?

Kemi shumë DJ të mirë, janë mbi 50 artistë. Kryesisht artistët e parë janë Damian Lazarus, që është shumë DJ i mirë. Kemi Sasha & John Digëeed, një dyshe shumë e mirë, Nick Warren, Armen Miran, Lee Burrige, nga lokalët kemi Altin Boshnjakun, Anita. Ka shumë DJ të fortë. Për ata që e ndjekin këtë lloj muzike, këta janë më të mirët e më të mirëve.

Sa i përket biletave, organizatorët e shprehën:

sundance-festival.com do të gjeni të gjithë informacionin për të blerë biletat online. Do të ketë gjithashtu edhe në hyrje të festivalit, por do të jenë me çmim më të shtrenjtë. Në sundance-festival.com do të gjeni të gjithë informacionin rreth çmimit, çfarë përfshin, sepse sigurisht ka bileta ditore, ka bileta full pass, janë biletat VIP. Po ashtu në sundance-festival.com mund të gjeni edhe dhomat e fundit të akomodimit, mund të gjeni informacion se ku mund të akomodoheni. Por nëse ti ke dëshirë të flesh në festival, për të kaluar një natë romantike poshtë yjeve, kush të ndalon (qesh).

Nga cilat shtete janë bërë rezervimet më të mëdha?

Për çudinë tonë, Argjentina ka vendin e parë. Kemi nga Brazili, Gjermania, Franca, Spanja. Por që Argjentina na ka suprizuar.

A ndodhin flirtime gjatë Sundance?

Mirë që mund të flirtosh, por ka shumë persona që kanë gjetur partnerin e jetës. Ne i kemi parë që nga flirtimet e para me një gotë e deri tek postimet në kanë hedhur në Story me fejesën apo propozimin për martesë. Flirtimet ndodhin, si mos të ndodhin aty, deti, muzika, energjia, janë të shumta.