Sport

ATLETIKË/ Kampionati Europian ekipor, titulli kampion për Italinë

Në Madrid u mbyll mbrëmjen e së dielës Kampionati Europian i atletikës për ekipe. Italia u shpall kampione e Divizionit të Parë, duke merituar trofeun kontinental në “Mbretëreshën e sporteve”. Italia fitoi medaljen e artë, duke grumbulluar 431.5 pikë, për ta mbyllur me festë kompeticionin në kryeqytetin spanjoll. Në vend të dytë u klasifikua Polonia me 405.5 pikë, ndërsa podiumi u plotësua nga Gjermania, e renditur e treta me 397 pikë.

LEXO EDHE: Luiza Gega: S’shkoj në Evropian, presidenti Smajlaj organizoi udhëtim me autobus për në Slloveni! Na ktheu 20 vite pas

Ndërkohë si 3 vendet e fundit, Ukraina, Finlanda dhe Lituania zbresin në Divizionin 2. Duke kaluar në nivelin e dytë të këtij aktiviteti, Belgjika triumfoi në Divizionin 2, e cila së bashku me Slloveninë dhe Norvegjinë siguruan ngjitjen në kampionatin elitar. Nga ana tjetër, Qiproja, Bullgaria dhe Letonia zbresin në Divizionin 3 si tri vendet e fundit. Duke kaluar në nivelin e tretë, aty mori pjesë edhe Shqipëria.

LEXO EDHE: Çalhanoglu i përgjigjet Lautaros: Kapiteni s’fajëson të tjerët, por iu qëndron pranë. Fjalët e tua na ndanë!

Kombëtarja kuqezi kishte një paraqitje të dobët në kategorinë më të ulët të atletikës europiane, duke u klasifikuar në vendin e 12-të mes 15 shteteve pjesëmarrëse. Fituese e Divizionit 3 u shpall Islanda, ndërsa Luksemburgu dhe Bosnjë-Hercegovina plotësuan treshen e parë, duke siguruar kalimin në Divizionin 2. Kujtojmë që Divizioni i Dytë dhe i Tretë i Kampionatit Europian për ekipe u zhvillua në Maribor të Sllovenisë.