Bota

BB: Ukrainës i nevojiten 524 miliardë dollarë për rimëkëmbje!

Kostoja e përllogaritur e rimëkëmbjes së ekonomisë së Ukrainës pas pushtimit në shkallë të gjerë nga Rusia ka arritur në 524 miliardë dollarë, gati trefishi i prodhimit të pritshëm të 2024-ës, sipas Bankës Botërore, Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Komisionit Europian dhe qeverisë së Ukrainës.

Një studim i ri nga institucionet përfshiu të dhëna nga nisja e pushtimit rus, tre vjet më parë e deri më 31 dhjetor 2024. Dokumenti përfshin një rritje prej 70% të dëmeve ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës nga sulmet ruse.

Shfaqet një rritje prej mbi 7% nga përllogaritja e fundit prej 486 miliardë dollarësh, një vit më parë ndërsa banimi, transporti, energjia, tregtia dhe arsimi u cilësuan sektorët më të prekur, siç raporton Reuters.

Studimi vlerëson dëmin e drejtpërdrejtë fizik ndaj ndërtesave dhe infrastrukturës tjetër, ndikimin në jetën e njerëzve, si dhe koston e rindërtimit më të mirë.

Presidenti amerikan, Donald Trump, po bën përpjekje për t’i dhënë fund luftës përmes bisedimeve të ndara me Rusinë dhe Ukrainën dhe pas një takimi me presidentin francez, Emmanuel Macron deklaroi se një marrëveshje mund të arrihet brenda javësh.

Vitin e kaluar, rimëkëmbja e Ukrainës vazhdoi të rëndohet për shkak të sulmeve të vazhdueshme të Rusisë, njoftoi kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal.

Qeveria ukrainase ka ndarë 7.37 miliardë dollarë për të adresuar nevojat më me prioritet më 2025-ën, me mbështetje nga donatorët, por vazhdon të ketë një boshllëk financimi prej gati 10 miliardë dollarësh.

Llogaritja e fundit, duke përdorur një metodologji universale për llogaritjen e dëmeve dhe nevojave, gjeti se dëmet e drejtpërdrejta nga sulmet ruse në Ukrainë janë rritur në 176 miliardë dollarë, nga 152 sa raportoheshin në shkurtin e 2024-ës.

Rreth 13% e pasurive të banuara të Ukrainës janë dëmtuar apo shkatërruar, duke prekur mbi 2.5 milion familje. Raporti përmendi një rritje prej 70% të dëmeve në sektorin e energjisë që nga llogaritja e fundit, e bërë një vit më parë, përfshirë prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë e të ngrohjes lokale.

Sektorit të banimit i nevojiten rreth 84 miliardë dollarë për rimëkëmbje, ndërsa atij të transportit, gati 78 miliardë. Sektorit të energjisë dhe minierave i duhen rreth 68 miliardë, atij të tregtisë dhe industrisë mbi 64 ndërsa të bujqësisë, më shumë se 55 miliardë dollarë.

Vetëm kostoja e pastrimit dhe menaxhimit të rrënojave u vlerësua se kap vlerën e rreth 13 miliardë dollarëve.