“Kryeministri Edi Rama mohon të jetë “kumbari” i Shqipërisë, pas javësh protestash kundër korrupsionit të nxitura nga zhvillimi i një resorti luksoz të lidhur me dhëndrin e Donald Trump”. Kështu shkruan “Financial Times” në një artikull.
I ashtuquajturi Revolucioni Flamingo u shkaktua nga zemërimi publik për projektin e planifikuar prej 4 miliardë dollarësh të Jared Kushner-it dhe Ivanka Trump-it, në një ishull e pranë një rezervati natyror të njohur për flamingot.
Protestuesit i kanë bërë thirrje Ramës të japë dorëheqjen dhe të ndiqet penalisht për çka ata e perceptojnë si korrupsion sistematik që lejon investitorët ndërkombëtarë të ndërtojnë në tokë të mbrojtur.
“Financial Times” citon kryeministrin:
“Njerëzit thonë se unë jam udhëheqësi i gjithë kësaj. Unë iu them atyre “fuck you”. Kaq e thjeshtë. Nuk është puna ime të vërtetoj se nuk jam Kumbari, është puna e tyre të vërtetojnë se unë jam Kumbari”.
Prokurorët shqiptarë kanë lëshuar urdhër-arreste për më shumë se një duzinë biznesmenësh për trafik droge dhe pastrim parash, duke përfshirë një që më parë kishte zotëruar tokë, në zonën që do të zhvillohej nga Kushner dhe gruaja e tij, Ivanka Trump.
Një zëdhënës i Kushner-it dhe partnerëve të tij të tjerë në Shqipëri nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Rama këmbënguli se investimet e Kushner-it janë të rregullta dhe nuk kanë asnjë lidhje me hetimin në vazhdim për një pronar të mëparshëm toke.
“Të thuash se ekonomia shqiptare bazohet në pastrimin e parave, kjo është e tmerrshme”, tha Rama për Financial Times në zyrën e tij me pamje nga bulevardi ku dhjetëra mijëra kanë demonstruar çdo natë për më shumë se tre javë.
Pastrimi i parave është pjesë e ekonomisë sonë, por nuk është një problem aq i madh, shtoi ai. Ju mendoni se nuk ka pastrim parash në Londër? Ekziston. Por a mund të thoni se ekonomia britanike është në pjesën më të madhe të pastrimit të parave? Jo.
Prokurorët shqiptarë kundër korrupsionit kanë lëshuar urdhër-arreste për 20 biznesmenë që ata thanë se ishin të përfshirë në kontrabandë ndërkombëtare të drogës dhe pastrim parash. Miliarda euro dyshohet se janë kanalizuar për projekte të mëdha ndërtimi përgjatë bregdetit të Adriatikut dhe në kryeqytetin shqiptar.
Ndër biznesmenët e shënjestruar është Artur Shehu, një shtetas i dyfishtë amerikano-shqiptar, i cili jeton në Miami. Në vitin 2025, Shehu shiti tokën pranë rezervatit natyror ku folezojnë flamingot, te Albania Land Development, një kompani e lidhur me projektin Kushner.
Kjo marrëveshje u shqyrtua nga prokurorët kundër korrupsionit, që ngrinë pagesat me vlerë 128 milion euro, në pritje të hetimeve.
Shehu nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Rama argumentoi se qeveria e tij i lejoi prokurorët të ndiqnin çështjet në mënyrë më agresive, gjë që gjithashtu rriti perceptimin se vendi ishte i mbushur me korrupsion dhe krim të organizuar.
Në fakt është e kundërta. Shqipëria po lufton si kurrë më parë dhe është shumë më pak e korruptuar sot sesa ishte.
Ai përsëriti akuzat se protestat ishin nxitur nga armiqtë e presidentit amerikan, përfshirë Iranin.
Ka shumë interes për të vrarë këtë projekt…për shkak të Trump-it, tha ai. Nëse nuk do të ishte Jared Kushner…askujt nuk do t’i interesonte për flamingot, për Shqipërinë, për asgjë. Është e gjithë urrejtja kundër Trump-it që krijon gjithë këtë shqyrtim.
Ai tha se ishte i bindur se planet e zhvillimit bregdetar do të vazhdonin përkundër protestave.
Pjesa e rëndësishme është se investitorët nuk janë kriminelë dhe nuk janë të përfshirë në pastrimin e parave, tha Rama. Ata janë investitorë të mëdhenj. Është një shans historik për Shqipërinë.