Me gërma të arta, sërish Lionel Messi shënoi emrin e tij në historinë e Botërorëve. Me 5 gola në këtë edicion, Numri 10 i Argjentinës është i pari në listën e goleadorëve të kompeticionit duke marrë edhe vlerësimin e gazetarëve.
E përditshmja argjentinase “Clarin” e krahason me një dirigjent orkestre:
Një simfoni e re nga Lionel Messi, me një orkestër që e shoqëron atë në mënyrë të përsosur. Messi po bëhet gjithnjë e më shumë një legjendë. E pabesueshme! Një tjetër kapitull në librat e historisë për Messin, i cili në moshën gati 39 vjeçare luan dhe vrapon si një fëmijë.
“La Nacion” e krahason me një mbret:
Mbreti i Botës! Askush nuk mund ta ndalë mbretin. Kapiteni argjentinas po thyen të gjitha rekordet. Shpirti i tij luftarak është i pathyeshëm, talenti i tij nuk njeh limit, prandaj Messi gjithmonë gjen argumente për të sfiduar çdo kategorizim.
Në Angli “The Times” shkruan:
Lionel Messi thyen rekordet.
“The Guardian” komenton:
Messi i pandalshëm thyen rekordin e golashënuesve në Kupën e Botës. Duhej të ishte Lionel Messi, duhej të ishte në këtë ditë e ndoshta duhej të ishte edhe në Dallas. Një Këpucë e Artë e parë nuk do të ishte një dhuratë e keqe për një ikonë që mbush 39 vjeç të mërkurën.
Në Francë, “L’Equipe”:
Një Messi historik siguron kualifikimin e Argjentinës. Pak para ditëlindjes së tij të 39-të, Lionel Messi nuk kishte kohë për të humbur dhe kapiteni argjentinas e zgjidhi çështjen e rekordit të golave të Kupës së Botës brenda dy ndeshjeve.
“Le Figaro”:
Messi po i shtyn kufijtë. Sa larg do të shkojë? Pas tregolëshit të tij mahnitës kundër Algjerisë, Lionel Messi e përforcoi statusin e tij legjendar në futboll me një dopietë kundër Austrisë.
Në Spanjë “AS” shkruan:
Messi, një legjendë midis legjendave, një mit midis miteve.
Për “Marca”-n:
Është përsëri ai. Numri 10 përsëri. Lionel Messi përsëri. Ajo që arrin ky djalosh është e mahnitshme.
Në Austri, “Der Standard”:
Në fund, Argjentina kishte një Lionel Messi më shumë. Kombëtarja austriake luftoi me trimëri, por edhe në një ditë joefikase, superylli argjentinas ishte i pandalshëm.