Kroacia anëtare e BE-së, paralajmëron probleme shumë serioze me refugjatët për vendet e Ballkanit, ku ata kalojnë. Ministri i Punëve të Brendshme, Davor Bozhinoviç ishte në Berlin ku me kolegun gjerman, Horst Seehofer (Sihofer) ranë dakord të ndihmohen shtetet ballkanike, pikësëpari Shqipëria e Bosnja. “Investimi për sigurinë e tyre, sjell ndikim pozitiv për Unionin”, – tha ministri kroat. Bozhinoviç vuri në dukje se “Këto ditë është folur shpesh për krijimin e një pike të regjistrimit, (hot-spot) në Afrikën e Veriut, si dhe në Ballkanin Perëndimor, më konkretisht në Shqipëri. Kroacia pa dëshirën e saj u gjet në fokus të mosmarrëveshjeve mes politikanëve në Gjermani. Ministri i Brendshëm, Horst Seehofer (Sihofer) po përplaset me Kancelaren Angela Merkel. Ai kërkon mbylljen e kufijve për t’i bërë ballë refugjatëve, por Merkel këmbëngul të arrihet marrëveshje me vendet e tjera. Nëse fiton varianti i ministrit gjerman, preket Kroacia, pasi shumica e refugjatëve kalojnë përmes saj, në rrugën drejt Europës Perëndimore. Ndërkaq, Zagrebi refuzon që vendi të shndërrohet në hot-spot për regjistrimin e emigrantëve.