Aktualitet

Berisha e akuzoi se u pagua nga Rama, gazetari i “NYT”: Akuzë e pavërtetë!

Gazetari i njohur i prestigjiozes “New York Times”, Kenneth P.Vogel reagoi duke përgënjeshtruar deklaratën e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha se është paguar nga kryeministri Edi Rama në lidhje me një shkrim mbi punësimin e konsulentit amerikan, Chris LaCivita në Partinë Demokratike.

Në një postim në rrjetin social “X”, gazetari ka publikuar deklaratën e Berishës duke theksuar se “është një akuzë e rreme”.

Sali Berisha, kreu i opozitës shqiptare, duket se po akuzon kryeministrin shqiptar, Edi Ramën se më ka paguar mua (ose @nytimes) 150 mijë euro për të shkruar një histori për punësimin në parti të Berishës të @ChrisLaCivita. Akuza e Berishës është e pavërtetë.

Një ditë më parë, Berisha u shpreh se “Ramës iu kthye në bumerang pagesa për New York Times. LaCivita tha se ka ardhur në Shqipëri për të vazhduar punën e Trump”-it.

Dy ditë më parë, ai pagoi vetë apo nëpërmjet të tjerëve, 150 mijë a sa mund të ketë kushtuar ajo hapësira në New York Times kundër meje. Iu kthye në bumerang. Se dje, njëri nga dy kryestrategët e rikthimit më madhështor, më të jashtëzakonshëm në histori, rikthimit të Donald Trump-it, i deklaronte New York Times-it se në Shqipëri ka shkuar të vazhdojë punën e Donald Trump-it, për ta bërë Shqipërinë të madhe përsëri, u shpreh Berisha gjatë mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike.