I ftuar në emisionin “Live from Tirana”, nëpërmjet një lidhjeje telefonike, këngëtari i njohur Berkan Beka ka rrëfyer gjithçka për eksperiencën e tij në “Top Fest”. I pyetur si ka qenë bashkëpunimi i tij i parë me kompozitorin dhe producentin e njohur Avni Qahili ai shprehet se:
Ishim në det me legjendarin Shaban Sejdiu, ishte edhe xhaxhi im. Në atë moment xhaxhi im kishte informacion për dashurinë që kisha ndaj muzikës dhe pastaj më tha: “Eja të të njoh me një njeri shumë të madh”. Unë isha shumë i vogël atëherë, pastaj më tha: “Unë jam Avniu” dhe filluan të më dridhen këmbët sepse të gjithë e njhnin kush ishte. Pastaj më detyroi që të këndoj dhe për 1 muaj më tha e ke tekstin gati dhe melodinë e ashtu filloi gjithçka. Afër detit filloi gjithçka.
Por si e ka pritur famën e atyre viteve? Ja se çfarë thotë Beka:
Nuk isha gati të pres diçka shumë të madhe sepse e dija që kur je i suksesshëm deshe nuk deshe, e kap famën dhe publiku të njeh. Edhe pse atëherë nuk kishte YouTube, ishte shumë vështirë dhe kishe të bëje me emra nga televizioni dhe nga radio. Tani është më lehtë me YouTube-in dhe prisja që sidomos “Top Fest-i” do të m’i hapte dyert për një këngë shumë të bukur, me këngën “Ekstravagante” në vitin 2006 me tekstin që ma bëri Avni Qahili dhe nuk isha gati sepse këndon në Festival dhe pastaj kur i shikon të gjithë jashtë që presin dhe duan të marrin autograf të ndryshon jeta. Kisha një frikë por ka qenë gjëja më e bukur në jetën time.
Çfarë kujtimesh ka ai nga “Top Fest”?
Kam kujtime, i shoh ato vite të vlefshme kur muzika ishte muzikë, kur arti ishte art dhe mendoj që çfarë bëmë në jetë nuk kthehet më. Duhet shumë orë që të flas në lidhje me “Top Fest” dhe ato kujtime nuk i krahasoj fare me asnjë kujtim tjetër.