Aktualitet

Besimtarët myslimanë shqiptarë festojnë Fitër Bajramin

Si në mbarë botën, edhe besimtarët myslimanë në Shqipëri festojnë sot Fitër Bajramin.  Kremtimet u paraprinë nga falja e namazit në 06:00 të mëngjesit. Në Tiranë, ata u bënë bashkë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa drejtuesit e Komunitetit Mysliman përcollën mesazhe vëllazërie. Qindra besimtarë myslimanë në qytetin e Shkodrës iu drejtuan xhamive për ritin e faljes së Fitër Bajramit. Imam Muhamet Syrtari  i cili drejtoi  faljen në Xhaminë e Madhe “Ebu Beker”, përcolli mesazhin e harmonisë, si dhe e vuri theksin në kujdesin e ndërgjegjësimin e shoqërisë  ku njerëzit po vrasin të afërmit.  Riti i faljes u krye edhe në Bulqizë. Myftiu Sejdin Strazimiri u shpreh se “Sot është dita e shpresave të reja kur mëritë, hatërmbetjet, xhelozia dhe smira marrin fund”.  Departamenti i Informacionit në Top Albania Radio uron besimtarët: “Gëzuar e për shumë vjet Fitër Bajramin!”.