Sport

Botërori 2026/ Edicioni me më pak faullë në 60 vjet, por më shumë kartona të kuq se në Katar e Rusi

Faza e parë e Botërorit të SHBA, Kanadasë dhe Meksikës u mbyll më një të dhënë historike; asnjëherë në 60 vitet e fundit nuk janë sinjalizuar kaq pak faullë. Në 66 ndeshjet e zhvilluara në këtë fazë të parë u regjistruan 1484 faullë që do të thotë 22.5 për ndeshje, shifra më e ulët që nga Botërori i 1966 në Angli.

As Rusi 2018 dhe as Katar 2022 nuk ranë nën këtë nivel teksa kanë shënuar respektivisht 26.9 dhe 24.1 faullë për ndeshje. Motivi për një statistikë nuk është se futbollistët po luajnë më pastër, por kriteri arbitrar që lejon më shumë duke menduar që të mos e prishë ritmin e lojës në një turne që ka përfshirë edhe pauzën e hidratimit. Arbitrat lejojnë lojën të vijojë edhe për kontakte, që në kampionatet e vendeve të ndryshme do të akordoheshin pa asnjë dyshim, diçka që gjeneroi protesta si ato pas ndeshjes mes Spanjës dhe Uruguajit.

Më pak kartonë të verdhë dhe më shumë të kuq.

Edhe përsa iu përket ndëshkimeve me kartonë, mesatarja është 2.5 për ndeshje, niveli më i ulët që nga Spanjë 1982. Paraguaji ishte skuadra më e ndëshkuar në fazën e grupeve me 7 kartonë të verdhë, ndërsa Franca është më pak e sanksionuar me vetëm 1 të tillë. Paradoksi në këtë pikë është se ndërsa janë dhënë më pak kartonë të verdhë, janë rritur sanksionet me kartonë të kuq. Turneu aktual nisi me 3 kartonë të kuq direkt në ndeshjen hapëse mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut dhe në përfundim të fazës së grupeve është arritur në 8 kartonë të kuq, e njëjta shifër si në Rusi dhe Katar në të gjithë turnetë e tyre. Në këtë pikë rekordin historik vazhdon ta mbajë Botërori i 2006 në Gjermani me 28 kartonë të kuq. Por në këtë edicion është aplikuar dhe Ligji Vinicius; paraguajani Miguel Almiron u bë futbollisti i parë i ndëshkuar nga ky rregull në ndeshjen me Turqinë, ndërsa më pas si pasojë e këtij rregulli u sanksionuan edhe Piero Hincapie dhe Falorin Balogun, me këtë të fundit që do të humbasë ndeshjen me Belgjikën.

Ndërsa sistemi VAR ka pasur një rol më të vogël, pasi u aplikua kryesisht në episodet brenda zonës, falë pozicionit jashtëloje automatik dhe çipit në top si në rastin e golit të anulur të Gvardiol në ndeshjen mes Kroacisë dhe Portugalisë. Po kështu ka rënë edhe numri i penalltive të akorduara vetëm 10 të tillë në fazën e grupeve edhe pse kanë filluar të shfaqen në ndeshjet me eliminim direkt.