Bota

Brazil, ish-presidenti Bolsonaro shpallet fajtor për grusht shteti!

Ish-presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro u shpall fajtor nga Gjykata e Lartë për komplot për grusht shteti, me synimin që të mbetej në pushtet pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2022. Bolsonaro rrezikon një dënim të gjatë.  Ky vendim erdhi pasi tre nga pesë gjyqtarët që përbënin trupën gjykuese votuan që ta shpallnin fajtor.

Gjykatësja Carmen Lucia ishte vota e tretë që mundësoi arritjen e shumicës në mesin e pesë gjykatësve duke e gjetur udhëheqësin e krahut të djathtë “fajtor” për komplot për grusht shteti, pasi ai humbi zgjedhjet përballë rivalit Luiz Inacio Lula Da Silva.

Megjithatë, vendimi ndaj Bolsonaros, 70 vjeç do të bëhet përfundimtar vetëm atëherë kur edhe gjyqtari i pestë të japë mendimin e tij. Ish-kapiteni i ushtrisë mund të përballet me një dënim me burgim me më shumë se 40 vjet nëse gjendet fajtor për pesë akuzat, përfshirë drejtimin e një “organizate kriminale” si dhe për komplot për rrëzimin e presidentit aktual, Lula.

Gjyqtarja Lucia votoi për ta dënuar Bolsonaron për akuzën e krimit të organizuar, por ende nuk ka votuar edhe për katër akuzat e tjera. Ish-kryetari i shtetit brazilian pretendon se ai është viktimë e përndjekjes politike.

Aleati i tij, presidenti amerikan, Donald Trump, e ka cilësuar gjykimin ndaj Bolsonaros si “gjueti shtrigash” dhe ka vendosur tarifë prej 50% ndaj një sërë importesh të Brazilit, në shenjë hakmarrjeje.