Rajoni

Deputetët mblidhen për të konstituuar Kuvendin e Kosovës, pas vendimit të Kushtetueses!

Deputetët e zgjedhur më 9 shkurt në Kosovë, sot mblidhen për të vazhduar seancën e konstituimit, për herë të 38-të që nga 15 prilli kur u thirr për herë të parë. Por, përpjekja e sotme vjen pas disa ndryshimeve. Gjykata Kushtetuese vendosi se deputetët janë të detyruar që jo më vonë se 30 ditë të përfundojnë seancën e konstituimit të Kuvendit, duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët. Por, Kushtetuesja nuk ka vendosur për ligjshmërinë e refuzimit të votimit të fshehtë, një nga pikat kyçe të ngërçit në Parlament.

Por, çfarë thuhet në vendim?

Zgjedhja e kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit është parakusht që Kuvendi të fillojë të funksionojë dhe kjo kërkon nga të gjithë deputetët të jenë të pranishëm dhe të votojnë për konstituimin e Kuvendit, në mënyrë që ky i fundit të fillojë sa më shpejtë të funksionojë si organ ligjvënës, vendimmarrës.

Gjykata kujtoi se partia fituese, në këtë rast, Lëvizja Vetëvendosje, e ka të drejtën e propozimit të kandidatit për kryeparlamentar. Megjithatë, Kushtetuesja tha se kjo e drejtë njëkohësisht është detyrim për grupin më të madh parlamentar për “bashkëpunim në mirëbesim dhe konsultim konstruktiv me grupet e tjera parlamentare për të gjetur konsensusin apo kompromisin e nevojshëm.

Kjo e drejtë në asnjë mënyrë nuk mund të rezultojë në bllokimin e konstituimit të Kuvendit. Ky detyrim vlen edhe për grupet tjera parlamentare të cilat në frymën e bashkëpunimit dhe konsultimeve konstruktive propozojnë kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit.

Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje, deklaroi se “votimi i fshehtë nuk e shkel Kushtetutën, pra është i lejuar”.

Të gjitha partitë duhet të angazhohen për ta konstituuar Kuvendin, sidomos ato që propozojnë anëtarë në Kryesinë e Kuvendit. Të gjithë deputetët e kanë për obligim të marrin pjesë në votim. S’ka nevojë as të pritet 30 ditë. Që nesër (27.06) mund të procedohet me votim të fshehtë dhe kjo punë kryhet.

Por, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha:

Rendi i ditës i seancës konstituive nuk mund të ndryshohet sipas dëshirës dhe askush nuk ka të drejtë të imponojë votim të fshehtë pa bazë kushtetuese dhe pa procedurë të rregullt. Gjykata Kushtetuese dha qartësi: zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit duhet të ndodhë brenda 30 ditëve.