Mbështetësit e kandidatit prorus të ekstremit të djathtë, Calin Georgescu u përleshën me policinë në Bukuresht, duke shprehur zemërimin për vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që dje ia ndaloi pjesëmarrjen në zgjedhjet presidenciale të muajit maj, duke nxitur përplasje mes mbështetësve të tij dhe policisë.
Komisioni njoftoi se nuk e ka pranuar aplikimin e Georgesc-ut, bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila anuloi zgjedhjet e nëntorit, pas fitores së tij në raundin e parë.
Kandidatura nuk plotëson kushtet e kërkuara me ligj, siç janë përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese në dhjetor të vitit 2024. Për këtë shkak, me rinisjen e procesit zgjedhor, anëtarët e Komisionit konsiderojnë se është e papranueshme që të vlerësojnë se i njëjti person plotëson kushtet për të marrë drejtimin e Presidencës së Rumanisë.
Georgescu, i njohur si kritik i NATO-s dhe që kundërshton mbështetjen rumune për Ukrainën, dorëzoi kandidaturën e tij për pjesëmarrje në zgjedhjet e majit. Komisioni kishte 48 orë për të pranuar apo refuzuar aplikimin. Georgescu ka 24 orë që ta apelojë vendimin, që çoi në protesta. Protestuesit u përleshën me forcat e sigurisë para ndërtesës së Komisionit në Bukuresht. Ata dogjën objekte dhe në drejtim të policisë hodhën sende të forta. Forcat e rendit u përgjigjën me gaz lotsjellës.
Georgescu dhe mbështetësit pretendojnë se autoritetet rumune po tentojnë të bllokojnë kandidaturën e tij për zgjedhjet presidenciale. Pas vendimit të Komisionit, ai reagoi me zemërim duke e quajtur vendimin “goditje të drejtpërdrejtë në zemër të demokracisë”.
Më ka mbetur vetëm një mesazh. Nëse bie demokracia në Rumani, e gjithë bota demokratike do të bjerë. Ky është vetëm fillimi. Eshtë kaq e thjeshtë… Europa tani është diktaturë, Rumania është nën tirani.
Liderët e partisë së ekstremit të djathtë e kanë dënuar vendimin e Komisionit Zgjedhor për mospranimin e kandidaturës së Georgesc-ut. Gjykata Kushtetuese e Rumanisë i anuloi zgjedhjet presidenciale, dy ditë para balotazhit në dhjetor, duke u bazuar në dyshimet se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhje, në favor të Georgesc-ut. Moska i ka mohuar akuzat.
Pjesëtarët e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, thanë se anulimi i zgjedhjeve në Rumani është shembull si qeveritë europiane shtypin lirinë e shprehjes dhe kundërshtarët politikë. Elon Musk, burri më i pasur në botë dhe aleati i ngushtë i presidentit Tump, e ka quajtur të “çmendur” vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor të Rumanisë në rrjetin X.
Georgescu është duke u hetuar për 6 vepra penale, përfshirë për anëtarësim në një organizatë fashiste dhe për komunikimin e të dhënave të rreme për financimin e fushatës zgjedhore. Ai i ka mohuar të gjitha akuzat.