Në Kosovë sot iu dha lamtumira e fundit Fadil Vokrrit. Njeriu që si President i Federatës së Futbollit, u bë protagonist i njohjes së futbollit kosovar nga FIFA e UEFA, u nda dje nga jeta, në moshën 57-vjeçare, pas një ataku kardiak. Në shenjë nderimi, Presidenti Hashim Thaçi e shpalli të sotmen ditë zie dhe flamujt në të gjitha institucionet janë ulur në gjysmë shtizë. Në hollin e Kuvendit të Kosovës u zhvilluan homazhe që u pasuan nga një përkujtimore. Zyrtarët më të lartë të vendit e nga Shqipëria shprehën ngushëllime. Ndërkaq, Stadiumi i Prishtinës do të mbajë emrin “Fadil Vokrri”, futbollistit të spikatur, që e nisi karrierën në vitin 1976 me ekipin e Llapit, për të kaluar te Prishtina e më pas te Partizani i Beogradit. Vokrri ka qenë dhe pjesë e Kombëtares së Jugosllavisë. Po ashtu, ka luajtur me klube europiane. Ai lë pas bashkëshorten e 3 fëmijë.