Aktualitet

“Dua drejtësi”/ Reagon për Top Channel babai i të miturit që u vra nga bashkëmoshatari në Durrës: Nuk kishte lidhje me sherrin!

“Dua drejtësi, nuk ka rrugë tjetër”- është ky apeli i Adem Bobajt, babait të 15-vjeçarit që u plagos nga bashkëmoshatari i tij në Durrës pak ditë më parë, dhe ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme në QSUT.

“Mesa di unë, ishte nisur për punë, s’ka pasur përplasje me asnjë. Sesi ka ndodhur kjo punë, ta zbardhin autoritetet. Unë isha në punë, më ka njoftuar shoku i djalit “hajde se e ke Erionin në gjendje të rëndë”. Në spital e ka dërguar shoku i ngushtë. Ka shkuar thuajse i vdekur në spital nga hemoragjia. Ka pasur dy plagë në zemër, një në mushkëri dhe në stomak. I është dhënë ndihma maksimale në spital. Apeli im është të vendoset drejtësi, nuk ka rrugë tjetër”-shprehet babai për Top Channel.

Nxënësit e klasës së 15-vjeçarit Erion Boba në gjimnazin “Dom Nikoll Kaçorri” në Durrës kanë shkruar sot një mesazh prekës në tabelën e klasës, duke shprehur dhembjen e madhe për humbjen e parakohshme të jetës së shokut të tyre dhe boshllëkun që ai ka lënë pas.

Me fjali të thjeshta, por të mbushura me trishtim, ata kanë kujtuar djalin çapkën, duke e cilësuar një djalë të sjellshëm e gazmor.

Mësohet se nesër, nxënës dhe mësues të shkollës do të udhëtojnë drejt Bulqizës për t’i bërë nderimet e fundit Erionit, në një ditë që pritet të jetë e rëndë jo vetëm për familjen dhe të afërmit, po dhe për ta, tashmë të tronditur nga humbja e rëndë.

15-vjeçari Erjon Boba që u godit me thikë në Durrës disa ditë më parë!

Ngjarja: Një 14-vjeçar në Durrës plagosi me thikë shokun e shkollës vetëm se ky i fundit i kërkoi sqarim se pse e shante e ofendonte. I plagosuri, 15-vjeç, nxënës i shkollës “Dom Nikollë Kaçorri”, në Durrës ishte në gjendje kritike, pasi thika e kishte kapur në zemër.

Jashtë kameras i ati, deklaronte më herët se nuk është momenti për të folur mbi konfliktin, pasi presin të përmirësohet shëndeti i djalit. Ndërkohë nuk kanë munguar vullnetarët që kanë dhuruar gjak. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 të së martës, vetëm 20 minuta në këmbë nga shkolla “Dom Nikollë Kaçorri”, ku mësojnë të dy nxënësit e përfshirë në konflikt.