Aktualitet

Durrës, Rama: Të dielën nisin punimet për ndërtimin e rrugës së Arbrit!

Qeveria u mblodh sot në Durrës ku mori disa vendime të rëndësishme. Në një konferencë për shtyp, ndër të tjera kreu i Qeverisë Edi Rama tha se të dielën hapet kantieri i parë për ndërtimin e rrugës së Arbrit. Kryeministri tha se nga data 1 Korrik pensionet do të rriten. Ndërkaq ai tha se: “Të dielën e ardhshme hapet kantieri i parë i Rrugës së Arbrit, duke u përmbushur premtimin që kemi bërë në fushatë. Po ashtu do të këtë dhe kantier te tjera ndërtimi, ku ky vit do të jetë Shqipëria kantier ndërtimi në projektin 1 miliardë. Kemi nisur dhe rregullimin e rrugës Tiranë-Durrës, dhe objektivi ynë është që të mbyllet në fund të këtij muaji”, tha Rama përpara gazetarëve.  Më tej, kreu i qeverisë u ndal edhe ulja e papunësisë në vend, si dhe krijimi i vendeve të reja të punës.“Kemi sfidën e madhe të forcimit të disiplinës kontraktuale mes punëmarrësve dhe punëdhënësve, përmirësimin e kushteve të punës për të rritur më tej pagat e ulëta, dhe kjo ngjall reagime. Papunësia e regjistruar zyrtarisht dhe objektivisht nga INSTAT në mënyrë të pavarur në masën 18% në 2014 kur ne vendosëm të bënim ndarjen historike të INSTAT nga zyra e kryeministrit, dhe sot që ky nivel është 14 % jemi të kënaqur. Ecuria e punësimeve ka qenë pozitive. Përpjekjet tona po japin efekt. Jemi në një përpjekje serioze për punësim real. Do të vazhdojmë duke u bazuar në kushtet që po krijohen në ekonomi. Lajmi tjetër është se po rriten investimet e huaja- u shpreh Rama.