Celebrities Gossip

E dashura 49 vite më e re, regjistron si markë tregtare termin “Gold Digger”, mes kritikave për lidhjen me Bill Belichick?

Jordon Hudson, 24-vjeç, ish-tifoze dhe e dashura e trajnerit legjendar të futbollit amerikan, Bill Belichick, ka ndërmarrë një hap të pazakontë në botën e biznesit.

Sipas revistës “People”, kompania e saj ka paraqitur një kërkesë për ta regjistruar termin “gold digger” (“e sponsorizuara”) si markë tregtare.

Dokumentet zyrtare tregojnë se kompania “TCE Rights Management”, e drejtuar nga Hudson, më 25 gusht ka dorëzuar aplikimin për ta mbrojtur këtë shprehje dhe për ta përdorur në produkte si bizhuteri apo varëse çelësash.

Aktualisht kërkesa është në shqyrtim dhe Hudson nuk ka dhënë ende një koment publik mbi këtë veprim.

Romanca mes Hudson dhe Belichick u bë lajm kryesor në vitin 2023, pak kohë pasi trajneri 73-vjeçar i dha fund një lidhjeje 16-vjeçare me Linda Holliday.

Historia e tyre ka shkaktuar shumë reagime, sidomos në prill, kur Hudson shmangu të tregonte në një intervistë për “CBS News” se si ishte njohur me Belichick.

Për më tepër, disa lojtarë dhe miq të çiftit kanë shprehur shqetësime edhe për faktin që Hudson punon si publiciste e partnerit të saj.

Ndërkohë, Belichick, pas një karriere të gjatë me “New England Patriots”, është duke u përgatitur për debutimin e tij si trajner i ekipit universitar të “North Carolina”, me ndeshjen e parë më 1 shtator kundër TCU. Vetë trajneri ka deklaruar për “The Boston Globe” se rikthimi në futbollin universitar është një “ëndërr e hershme e fëmijërisë”.

Interesante është se kompania e Hudson ka paraqitur edhe kërkesa të tjera për marka tregtare të lidhura me karrierën e re të Belichick, përfshirë termat: “Chapel Bill (Bill’s Version)”, “No Days Off (Bill’s Version)” dhe “Belecast”.

Përdorimi i shprehjes “Bill’s Version” shihet si një thumb i tërthortë ndaj pronarit të Patriots, Robert Kraft, pas ndarjes së bujshme mes tij dhe Belichick në janar 2024.

Ky zhvillim vjen vetëm pak ditë pasi çifti u pa së bashku në Chapel Hill, më 21 gusht, të veshur me rroba të bardha të kombinuara, teksa ecnin dorë për dore.

Po ashtu, është konfirmuar se sezoni i parë i Belichick si trajner universitar do të jetë subjekt i një dokumentari në platformën “Hulu”, i cili pritet të transmetohet këtë vjeshtë.