Zgjedhje të gabuara, polemika, përplasje të brendshme, rendiment shumë i ulët; Botërori i Uruguajit ishte një katastrofë. I përfshirë në një grup teorikisht të kalueshëm, skuadra Celeste barazoi me Arabinë Saudite dhe Kepin e Gjelbër dhe humbi me Spanjën duke e mbyllur menjëherë aventurën e saj.
Është hera e parë në histori që Uruguaji eliminohet 2 herë radhazi në fazën e grupeve edhe e katërta herë që kthehet në shtëpi pa asnjë fitorë pas 1974, 1986 dhe 2002. Në ndeshjen me Spanjën vetëm në 20 minutat e para u pa një skuadër me ide dhe një projekt taktik për t’u ndjekur, më pas Uruguaji ‘u zhduk’ dhe në pjesën e dytë u dallua vetëm për një sërë ndërhyrjesh të ashpra dhe ndëshkimin e paevitueshëm me karton të kuq të Canobbios
ZGJEDHJA E MUSLERAS-Nuk do ta dimë kurrë nëse Botërori i Uruguajit do të ishte ndryshe me një portier tjetër, por me siguri zgjedhja e Bielsës për të rikthyer në skuadër Fernando Muslera, 4 vjet pas largimit të tij nga kombëtarja dhe ta aktivizojë titullar ka ndikuar te rezultatet e skuadrës. Muslera iu dhuroi kundërshtarëve nga 1 gol në çdo ndeshje dhe gabimi në ndeshjen ndaj Spanjës ishte vendimtar sepse edhe me barazimin 0-0, Uruguaji do të renditej në vendin e dytë dhe do të kualifikohej.