Një incident i pazakontë ka ndodhur në Gjermani duke bërë që ndeshja e Bundesliga 2 të ndërpritet. Teksa luhej sfida Preussen Munster-Hertha Berlin, një fans i vendasve, që kishte mbuluar fytyrën me maskë shkëputi nga priza një monitor të sistemit VAR që ndihmon gjyqtarin për analizimin e pamjeve filmike të episodeve të dyshimta gjatë ndeshjes. Në ndeshjen që po luhej në Koln, gjyqtari Felix Bickel u pa në një moment se e kishte të pamundur të shqyrtonte në ekran pamjet e një faulli të dyshimtë në zonën e penalltisë së Preussen.
Bickel shkoi te ekrani me udhëzim nga VAR, por u përball me një ekran të fikur. Asistenti i VAR, Katrin Rafalski u detyrua në këto kushte të jepte vendimin për incidentin, duke i komunikuar gjyqtarit kryesor të sfidës se kishte mjaftueshëm kontakt për të akorduar një penallti për miqtë dhe Fabian Reese e ktheu atë në gol, në minutën e katërt të kohës shtesë të pjesës së parë.
Jannis Heuer barazoi për vendasit vetëm një minutë pas fillimit të periudhës së dytë, por ishte një tjetër goditje në kohën shtesë për Pruessen, pasi zëvendësuesi Marten Winkler doli nga stoli për të shënuar golin e fitores për kryeqytetasit në minutën e 93-të. Fitorja e çon Herthën në vendin e gjashtë në tabelën e Bundesligës së Dytë dhe e lë Preussen në vendin e 14-të, megjithëse ata janë të barabartë me pikë me Greuther Furth, të cilët mbajnë vendin e play-off për rënie nga kategoria.