Egjipti është duke zhvilluar një plan për të rindërtuar Rripin e Gazës, që nuk synon largimin e palestinezëve nga territori i tyre, teksa shtetet arabe po tentojnë të minimizojnë propozimin e presidentit amerikan, Donald Trump për t’i larguar banorët nga zona dhe që Shtetet e Bashkuara të marrin kontrollin e territorit.
Sipas një raportimi të medias shtetërore të Egjiptit, Al-Ahram, plani bën thirrje për krijimin e “zonave të sigurta” brenda Gazës, ku palestinezët do të mund të qëndronin derisa kompanitë ndërtuese nga Egjipti dhe të tjera vende të rindërtojnë infrastrukturën. Tri zonat e sigurta do të funksionin për një periudhë fillestare gjashtëmujore, referuar planit.
Do të mund të ketë shtëpi të lëvizshme, si dhe mundësohet dërgimi i ndihmave humanitare. Ky projekt rindërtimi që mund të zgjasë pesë vjet do të ofrojë mijëra vende pune për banorët e Gazës, siç vuri në dukje një zyrtar i Egjiptit për agjencinë e lajmeve Associated Press (AP).
Dy zyrtarë të Egjiptit dhe diplomatë perëndimorë i thanë AP-së se Kajro është duke diskutuar planin me zyrtarë në Europë, Arabinë Saudite, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Në këto negociata po diskutohen edhe ndarjet buxhetore.
Pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë, Trump i tha kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu se “Amerika do të marrë kontrollin e Rripit të Gazës dhe do të punojë në të”.
Ne do ta zotërojmë.
Sipas presidentit amerikan, palestinezët që aktualisht jetojnë aty, duhet të zhvendosen përjetësisht në vendet arabe të rajonit dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë në krye të përpjekjeve për të shndërruar Gazën në “rivierë të Lindjes së Mesme”.
Më shumë se 2.3 milion njerëz jetojnë në Gaza e shumica e tyre janë zhvendosur si pasojë e luftës 16-mujore mes ushtrisë izraelite dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur “terrorist” prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.
Palestinezët kanë thënë e nuk do të largohen prej tokës së tyre. Sipas raportimeve në media, edhe Arabia Saudite është duke çuar përpara një plan për të përmbysur atë të Trump-it. Egjipti, Jordania dhe Emiratet besohet se janë të përfshira në këto përpjekje, pasi kanë thënë se nuk janë të gatshme të strehojnë popullsinë e Gazës.