Sot në emisionin “Live from Tirana” ishte i ftuar nëpërmjet një lidhjeje telefonike diplomati Sokol Gjoka i cili ka shërbyer si ambasador i Shqipërisë në Kiev. Aktualisht Sokoli punon në Ministrinë e Shqipërisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Çfarë po ndodh sot me luftën ruse në Ukrainë sipas këndvështrimit të Gjokës?
Komunikimi në këtë rast me publikun është shumë i rëndësishëm. Ka patur një unitet të admirueshëm. Çdokush e ndjen veçanërisht në një vend që ke qenë, ke miq, ke kolegë. Veprime të tilla në shekullin ku jemi janë të paimagjinueshme leje më të zbatueshme. Veprimet ushtarake kundër Ukrainës janë jo vetëm të dënueshme por në kundërshtim të plotë më ligjet dhe normat ndërkombëtare.
Sa i përket frikës së shtuar se Rusia ka përgatitur forcat nukleare e teksa po shihet si një hap provokativ, si e komenton Sokoli këtë?
Agresioni rus është i pamotivuar, i pajustifikuar, i pangacmuar nga dikush, është një dhunim i hapur i një sërë dokumentesh ndërkombëtare që sanksionojnë marrëdhëniet mes shteteve dhe përcaktojnë kufijtë territoriale. Një çështje sensitive është se kërkohet të prishet gjithë rendi ndërkombëtar, siguria, paqja në përmasa globale. Është cënim i sovranitetit të një vendi që kur shoqërohet me veprime të tilla, më kërcënime bërthamore, merr përmasa globale. Në këtë aspekt veçanërisht kur kemi të bëjmë me veprime flagrante, shoqërohet edhe me pasoja në jetën e njerëzve, dëme të pasurisë kombëtare, të individit dhe shoqërohet me pasoja psikologjike tek të gjithë ata që ndodhen në presion lufte. Kjo ndodh 77 vite pas mbylljes së Luftës së Dytë Botërore dhe ndodh midis një vendi që deri dje ka bashkëpunuar, kanë patur një marrëdhënie familjare, vëllazërore. Reagimi për të ndaluar këtë është i madh, i unifikuar dhe Shqipëria ka dhënë kontributin e saj.
Çfarë mund të bëjë më shumë Perëndimi në raport me çfarë ka bërë?
E para Putin dhe e gjithë administrata e tij që e mbështet nuk ka asnjë lloj epërsie. Me veprimin e tanishëm, Putin ka izoluar më shumë veten, e ka veshur veten nga opinioni, i paparashikuar. Veprimet e marra nga organizatat rajonale e deri te ato globale si OKB, Këshilli i Sigurimit, BE, NATO, e kanë vënë në një pozitë të vështirë dhe efektet e këtij bojkoti ndaj fedaratës ruse, ia kanë ulur reputacionin atij por edhe vet Rusisë. Ata po bëjnë presion që Rusia të ndalojë sa më parë sulmet ndaj një vendi sovran dhe të tërheqë menjëherë trupat ushtarake dhe të mos bëjë asnjë veprim të palogjikshëm për ndonjë sulm bërthamor sepse kostot janë të pallogaritshme. Efektet kanë filluar të ndjehen në popullin rus, në financat dhe ekonominë ruse. Efektet do të vazhdojnë dhe Rusia duhet të japë llogari përpara institucioneve ndërkombëtare për këtë veprim. Është hapur një padi penale ndaj Putin dhe administratës së tij. Shqipëria është bashkëorganizatore e dokumentave në mbështetje të Ukrainës, në mbështetje të sovranitetit të këtij vendi për të ndaluar makinerinë e luftës ruse për të shkatërruar një vend të pavarur.