Diane Capone Pette është mbesa e Al Capone, një prej mafiozëve më famëkeq në historinë amerikane, i cili u quajt “Scarface” për një goditje që mori gjatë një zënke. Mbretërimi i tij duke filluar në vitet 1920 ka frymëzuar dhjetëra shfaqje dhe filma, duke përfshirë filmin e vitit 1983 “Scarface” me Al Pacino. Por, në shtëpi, Pette tha se Capone kishte një jetë shumë ndryshe. “Ai nuk ishte njëdimensional. Ai ishte një njeri me shumë aspekte. Ai dukej se kishte aftësinë për të qenë mjaft i pamëshirshëm dhe agresiv. Dhe nga ana tjetër ishte një njeri tepër i dashur dhe besnik ndaj familjes dhe miqve”-tha ajo.
Bëhet e ditur se një vështrim i rrallë në atë pjesë të jetës së Capone do të shfaqet për publikun në një ekspozitë të re, “The First Public Enemy”, në Muzeun Mob në qendër të Las Vegas. Për herë të parë, publiku mund të shikojë nga afër armën personale të preferuar të Capone dhe një film të shkurtër të xhiruar nga vetë bosi i mafias në vitin 1929. Pas vdekjes së Capone në 1947 nga shkaqe natyrore, gjërat e tij qëndruan në familje për dekada.
Fillimisht me gruan dhe djalin, e pas vdekjes së tyre, me katër mbesat e tij. Dy, përfshirë Pette janë ende gjallë. Pette, 81 vjeçe, dhe motrat e saj hodhën në ankand disa nga gjërat e gjyshit të tyre nga frika se mund t’i humbnin ato nga zjarret e zakonshme në Kaliforni ku jetojnë tani, ose nga frika se ato do të harroheshin ose humbeshin pas vdekjes së tyre. Një nga armët e tyre më të çmuara ishte arma e preferuar e Capone, një pistoletë e kalibrit 45 Colt 1911 që ishte e njohur gjatë Luftës së Parë Botërore. “Ai e quajti atë si e dashura e tij”-tha Pette. Pistoleta ka marrë identitetin e saj si një shoqëruese besnike e Capone dhe si merita e shpëtimit të mafiozit më shumë se një herë.