Eliminimi i Algjerisë në fazën e dytë të Kupës së Botës ndaj Zvicrës ka përshpejtuar përfundimin e aventurës së Vladimir Petković në krye të përfaqësueses afrikane.
Sipas raportimeve të ANSA-s, të cituara nga burime zyrtare në Algjer, Federata Algjeriane e Futbollit po përgatitet ta shkarkojë trajnerin zvicerano-boshnjak, pas paraqitjes zhgënjyese të skuadrës në turne.
Federata pritet të aktivizojë klauzolën e parashikuar në kontratën e trajnerit, e cila në rast ndërprerjeje të parakohshme parashikon një dëmshpërblim prej vetëm dy pagash mujore, pavarësisht rinovimit të marrëveshjes deri në vitin 2028, të firmosur pak ditë para fillimit të Botërorit.
Vendimi vjen pas kritikave të shumta për menaxhimin teknik të ekipit, i cili u ndal në fazën e dytë pas një performance të dobët ndaj Zvicrës.
Sipas të njëjtave burime, Petković pritet të dorëzojë në orët në vijim një raport të detajuar mbi paraqitjen e Algjerisë në Botëror, pas së cilës do të formalizohet edhe shkarkimi i tij.
Federata algjeriane pritet të nisë menjëherë konsultimet për emërimin e trajnerit të ri, me qëllim hapjen e një cikli të ri për ndeshjet e ardhshme ndërkombëtare.
Rinovimi i kontratës së Petković deri në vitin 2028, i firmosur pak para turneut, e kishte bërë atë trajnerin më të paguar në Afrikë, me rreth 160 mijë euro në muaj, një vendim që kishte ngjallur kritika të forta në mediat lokale edhe para fillimit të Kupës së Botës.