Bota

Erdogan: Forcat turke vranë shefin e Shtetit Islamik në Siri!

Gjatë një operacioni në Siri, forcat turke vranë liderin e Shtetit Islamik. Gjatë një intervistë për televizionin TRT, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan tha se lideri i IS-it, i njohur si Abu Hussein al-Qurayshi, u vra në një sulm të kryer të shtunën, më 29 prill. Erdogan konfirmoi se Inteligjenca turke e ndiqte prej një kohe të gjatë.

Ne do ta vazhdojmë luftën tonë kundër organizatave terroriste, pa diskriminuar asnjërën prej tyre.

Turqia ka kryer operacione të shumta kundër IS-it dhe grupeve kurde përgjatë kufirit sirian, duke kapur ose vrarë militantë të dyshuar. Ankaraja kontrollon pjesë të mëdha të territorit në Sirinë veriore, pas një serie inkursionesh tokësore për t’i larguar grupet kurde nga kufiri turko-sirian.

Abu Hussein al-Qurayshi u emërua udhëheqës i grupit militant kur kreu i mëparshëm u vra në tetor. Një zëdhënës i IS-it e quajti “luftëtar veteran” e “djalë besnik i Shtetit Islamik”. Drejtimin e IS-it e mori në kohën kur grupi ekstremist ka humbur kontrollin e territorit që dikur mbante në Irak e Siri. Por, grupi ishte përpjekur të aktivizohej sërish, duke kryer disa sulme vdekjeprurëse në të dy vendet.

Themeluesi i IS-it, Abu Bakr al-Baghdadi u vra i rrethuar nga forcat amerikane në një sulm në veriperëndim të Sirisë në tetor 2019. Pasardhësi i tij, Abu Ibrahim al-Hashimi al-Qurayshi u ekzekutua në një sulm të ngjashëm, në shkurt 2022. Ai u pasua nga Abu al-Hassan al-Hashimi al-Qurayshi, i cili sipas ushtrisë amerikane u vra në mes të tetorit, në një operacion nga rebelët sirianë në provincën jugore të Sirisë, Daraa.

Grupi IS u shkëput nga al-Kaeda rreth një dekadë më parë dhe më pas arriti të kontrollojë pjesë të mëdha të Sirisë veriore e lindore, si dhe Irakun verior e perëndimor. Në vitin 2014, ekstremistët shpallën të ashtuquajturin kalifat, duke tërhequr mbështetës nga e gjithë bota.

Vitet në vazhdim, ata pretenduan se ishin përgjegjës për sulme të shumta në mbarë botën duke vrarë e plagosur qindra njerëz, përpara se të sulmoheshin nga vende të ndryshme të botës. Në mars 2019, luftëtarët sirianë të mbështetur nga SHBA-të morën kontrollin e pjesës së fundit të territorit që dikur mbanin ekstremistët në provincën lindore të Sirisë, Deir el-Zour, në kufi me Irakun.