Bota

“Këtu ka shtet”/ Turqia e pret samitin e NATO-s me valë arrestimesh

Ankaraja po përgatitet të presë samitin e NATO-s më 7 dhe 8 korrik, takim ky që mbahet në një periudhë të shënjuar nga luftëra, tensione gjeopolitike dhe paralajmërime nga presidenti amerikan Donald Trump.

Për shkak të rolit strategjik të Turqisë në Aleancë, si vendi me ushtrinë e dytë më të madhe të NATO-s dhe garantues i krahut juglindor të saj, samiti konsiderohet me rëndësi të veçantë politike. Gjithashtu, për herë të parë pas 17 vitesh, një president i SHBA-së pritet të vizitojë Turqinë.

Vizita e fundit e një presidenti amerikan ishte ajo e Barack Obamës në vitin 2009. Megjithatë, përgatitjet për samitin janë shoqëruar me zhvillime të debatueshme në politikën e brendshme. Sipas autoriteteve dhe raportimeve mediatike, 225 persona janë arrestuar me 178 prej tyre që ndodhen aktualisht në paraburgim. Mes të ndaluarve ka aktivistë të të drejtave të njeriut, përfaqësues të shoqërisë civile, akademikë, aktivistë mjedisorë, gazetarë dhe studentë.

Në Ankara është vendosur edhe një ndalim dyjavor për organizimin e tubimeve publike. Prokuroria turke deklaroi se hetimet kanë për qëllim “zbulimin e aktiviteteve të organizatave terroriste në të gjithë vendin”. Por arrestimet kanë ngjallur pikëpyetje, pasi ndodhin vetëm pak ditë përpara një samiti që do të jetë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Politologu Berk Esen, në një prononcim për Deutsche Ëelle, e cilësoi situatën si “të vështirë për t’u shpjeguar” dhe “jologjike”.”E kam të vështirë të shpjegoj një zhvillim që as unë vetë nuk e kuptoj.

Për një qeveri që synon mbulim pozitiv nga mediat para samitit, ky nuk është një zhvillim i favorshëm,” u shpreh ai, edhe pse kujton se episode të ngjashme janë regjistruar edhe në të kaluarën përpara samiteve të NATO-s, cka është interpretuar shpesh edhe si një sinjal ndaj SHBA-së.