Robert Connolly është regjisori i një historie misterioze të një qyteze që vuan gënjeshtrat e banorëve të saj. Sekretet që e gërryejnë nga brenda dhe thatësira që e bën shterpë nga jashtë.
Thatësira i jep titullin këtij filmi – por jo vetëm ajo e mungesës së shiut – një thatësirë emocionale e protagonistëve të kësaj qyteze australiane e mbushur me dramë, suspansë dhe mister.
Bazuar në best-sellerin ndërkombëtar me të njëjtin titull – “The Dry” sheh Eric Bana-n si hetues i një qyteti të madh i cili duhet të kthehet në vendlindje për shkak të një vrasjeje që përfshin shokun e tij të ngushtë të fëmijërisë.
Kthimi nuk është i lehtë pasi ikja nga qyteza erdhi si pasojë e një vajze të mbytur në lumë diku tek 20 vite më parë ku ai ishte i dyshuar – edhe pse jo nga autoritetet – nga komuniteti.
Robert Connolly – i njohur dhe respektuar për filmat “Balibo”, “Paperplanes” – ka bashkëshkruar skenarin e intrigës që do ta mbajë shikuesin të gozhduar deri në fund.
Bana rikthehet në Australi që pas “Romulus, My Father” në 2007, dhe ky rol është si i qepur enkas për të – Aaron Falk. Falk nuk ka shkelur në Kiewarra qytetin e tij të lindjes qëkurse shoqja e tij e gjimnazit Ellie Deacon (Bebe Bettencourt) u gjet pa jetë.
Kur i duhet të shkelë aty, Kiewarra është një shkretëtirë – ndryshe nga parajsa që kishte ngelur në kujtimet e tij – hera e fundit që kishte rënë shi ishte para 324 ditësh.
Shoku tjetër i tij Luke Hadler, do ta kthente në vendlindje pasi kishte vrarë gruan, djalin e mitur dhe më pas veten. Tragjedi e cila është shumë familjare në australinë viteve të fundit.
Edhe pse i vendosur për të lënë vendlindjen që i trazon mendimet të nesërmen e funeralit, Aaron vendos të shohë çështjen i shtyrë nga prindërit e Luke (Barb dhe Gerry) ,(Julia Blake, Bruce Spence), të cilët i luten të shikojë hetimin sepse nuk besojnë se djali i tyre mund të ketë vrarë familjen e tij dhe as veten.
Dhe kështu ndodh, me të parë detajet, ndihmuar edhe nga polici i zonës, ndihmues por pa eksperiencë Greg Raco (Keir O’Donnell) – ai fillon të mendojë se ka diçka që nuk shkon.
Një tjetër arsye për të qëndruar është një tjetër shoqe gjimnazi, Gretchen (Genevieve O’Reilly është e shkëlqyer), kulmi i katërt i shoqërisë që u prish nga vdekja e papritur mëse dy dekada më parë.
Siç e do një film i këtij zhanri ‘qepa’ fillon të hapet një e nga një duke shtuar listën e të dyshuarve dhe besimin gjithmonë e më të qartë se krimi ka qënë një vrasje.
Intriga shtohet edhe më kur në listën e të dyshuarve të “The Dry” hyn edhe babai zemërthyer i Ellie-t Mal (William Zappa) dhe kushëriri i saj ‘i forti i lagjes’ Grant (Matt Nable) duke rikthyer thashethemnajën se Aaron ka qënë vrasës i Elliet.
Tensioni rritet në çdo plan ndihmuar nga pejsazhi i vendit të xhirimit dhe figurës ‘grana’ ‘old-school 16mm-35mm.
Bana arrin të lundrojë nëpër personazh me mjaftueshëm pasiguri dhe luftë me ndërgjegjien, duke gozhduar audiencën me ndjesinë e fajit dhe dëshirën për katarsis.
Në fakt i gjithë ansambli është zgjedhur me zgjuarsi duke përfshirë James Frecheville (“Animal Kingdom”) si fermeri Jamie Sullivan apo aktori i kthyer në regjisor John Polson (që mund ta mbani mend për “Mission: Impossible 2”) si drejtori i shkollës Scott Whitlam.
Njësoj si në romanin e Harper, edhe në film kapet në kokë natyra kontradiktore e Australianëve me qasjen romantike për kontinentin e tyre dhe frikën ndaj ‘të huajve’. Kamera e Stafan Duscio-s (“The Invisible Man”) lëviz si poezi mes të shkuarës plot jetë – dhe të tashmes shkatërruese monochrome.
E ndërkohë që Aaron kërkon të gjejë zgjidhjen e një krimi të fshehur, po aq personazhet kërkojnë ujin e munguar në shpirtin e tyre, mungesa e të cilit, njësoj si tokën, i ka lënë ata djerrë.