Politikë

Erisa Xhixho: 12 miliardë euro qarkullojnë jashtë bankave, investohen në resorte dhe kazino!

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, tha të premten se Shqipëria është kthyer në një “lavatriçe të pastrimit të parave të krimit dhe korrupsionit”, duke akuzuar qeverinë se, sipas saj, favorizon ndërtimet që financohen me para që nuk burojnë nga ekonomia reale.

Sipas Xhixhos, lejet e ndërtimit u jepen klientëve të pushtetit, ndërsa bizneset e ndershme përballen me padrejtësi dhe mungesë konkurrence. Ajo pretendoi gjithashtu se rreth 12 miliardë euro qarkullojnë jashtë sistemit bankar dhe investohen në resorte, kazino dhe projekte që, sipas saj, cenojnë interesin publik.

Deputetja e PL-së iu referua edhe të dhënave të Altax, duke thënë se korrupsioni i kushton ekonomisë shqiptare rreth 1.115 miliardë euro në vit, ose nga 3.1% deri në 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sipas saj, nëse situata vazhdon, humbjet mund të arrijnë deri në 4.8 miliardë euro deri në vitin 2030.

Në deklaratën e saj, Xhixho akuzoi kryeministrin Edi Rama se po mbron korrupsionin dhe klientelën, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen, sipas saj, kundër kapjes së shtetit, korrupsionit dhe modelit që varfëron vendin.

LEXO EDHE: Kanye West në Tiranë/ Xhixho: Do të hidhni 50 mln lekë për një koncert! I përgjigjet ministri: Fake news…

“Ndërsa Edi Rama vazhdon të flasë për standarde europiane dhe integrim, realiteti është se shqiptarët po humbasin çdo ditë besimin tek një qeveri që ka zgjedhur të mbrojë korrupsionin, klientelën dhe interesat e një grushti njerëzish në kurriz të shumicës” tha ajo.

LEXO EDHE: ‘Mos vononi zbardhjen e vendimit për arrestin e Metës’ deputetët e Partisë së Lirisë letër Gjykatës Kushtetuese