Rajoni

Escobar: Nuk kam marrë zotim nga kryeministri Kurti për zbatimin e marrëveshjes me Serbinë!

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka marrë asnjë zotim për zbatimin e marrëveshjes bazike mes Kosovës e Serbisë dhe aneksit të saj.

Ne duam zotim konkret për fillimin e zbatimit (të marrëveshjes). Sa i përket Kosovës, kjo përfshin prezantimin e draftit të asociacionit për komunat me shumicë serbe. Ai nuk u zotua për ta bërë këtë gjë. Në thelb, ai u zotua të shkonte në Bruksel dhe të ishte i pranishëm në takime, por asgjë përtej kësaj.

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë u arrit në shkurt në Bruksel. Në mars, në Ohër palët gjetën dakordësi për Aneksin e zbatimit të saj. Në 11 nenet e marrëveshjes nuk përfshihet njohja reciproke për të cilën insiston Kosova, por nga Kosova dhe Serbia kërkon që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat e targat.

Ndërkaq, nesër në Bruksel zhvillohet takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç, i pari mes tyre që kur tensionet në veri të Kosovës u rritën në fund të majit.

Escobar deklaroi se “rruga më e shpejtë dhe më e lehtë për zgjedhjet e reja në veri të Kosovës do të ishte nëse kryekomunarët shqiptarë japin dorëheqje”.

Nëse doni të keni zgjedhje të reja me pjesëmarrjen e serbëve, mendoj se dorëheqjet janë rruga më e shpejtë, më e lehtë. Peticioni si nismë nuk është provuar ndonjëherë më parë. Po kërkojmë nga serbët që të marrin pjesë plotësisht në zgjedhje kur ato të vendoset të mbahen. Se si arrijmë deri aty, është çështje që do të diskutohet mes palëve. Por, gjithsesi besoj se dorëheqjet do të ishin më të shpejtat. Megjithatë, po e përcjellim situatën me shumë vëmendje.

Zyrtari amerikan shtoi se ajo që e shqetëson në Kosovë “është mungesa e vazhdueshme e koordinimit mes dy palëve për rrugën përpara, përfshirë shfrytëzimin e njësive të posaçme të policisë për shpronësime dhe dëbimin e disa institucioneve serbe nga ndërtesat qeveritare.

Të gjitha duhet të zgjidhen në kuadër të dialogut dhe po u bëjmë thirrje dy palëve që të sigurohen që të gjitha çështjet të koordinohen me bashkësinë ndërkombëtare.