Sot në orën 21:00 në Lisbonë të Portugalisë do të zhvillohet finalja e madhe e Festivalit Europian të Këngës, Eurosong. Si rrallëherë këtë vit në skenë do të ngjiten tre shqiptarë. Eugent Bushpepa që përfaqëson Shqipërinë në ‘Eurovision’ do të performojë i 12-ti me këngën ‘Mall’. Pas tij, e 25-ta në radhë do të jetë këngëtarja me origjinë shqiptare, Eleni Foureira, që përfaqëson Qipron. Ndërsa i fundit do të ngjitet në skenë shqiptari Ermal Meta, që përfaqëson Italinë së bashku me Fabrizio Moro-n. Janë gjithsej 26 vende që do të performojnë në finalen e madhe të Eurovizionit.