Rajoni

Fatmir Limaj: Konstituimi i Kuvendit të Kosovës, vështirë të bëhet pa marrëveshje politike!

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se konstituimi i Kuvendit të Kosovës është “i vështirë të bëhet pa marrëveshje politike koalicioni, që përcakton shumicën parlamentare”.

Ajo shumicë zgjedh kryetarin e Kuvendit dhe Qeverinë, u shpreh para gazetarëve.

Limaj vuri në dukje se një “marrëveshje politike duhet të ndërtohet para futjes në Kuvend”.

Po pres dhe po besoj që kjo shumë shpejt do të ndodhë.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, deklaroi se mosvajtja e kryetarit të partisë së tij në takimin e thirrur nga kreu i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, “nuk është refuzim i dialogut”.

Nuk ka nevojë për takim për procedura, u shpreh Haziri para gazetarëve. Nuk shkohet në takim për të drejtën e fituar. Partia e parë duhet të realizojë marrëveshje politike. Po të ishte LDK-ja në këtë pozitë, ne para pesë javësh do ta kishim mbyllur” konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë, deklaroi Haziri.

Sipas tij, LVV-ja “nuk ka vullnet politik për zgjidhjen e problemit”.

Të bësh takime sa për t’u takuar… LDK-ja kështu nuk funksionon. Ne shkojmë në takim vetëm kur duhet të kryhet punë.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka folur para mediave pas takimit që zhvilloi në mëngjes me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Kemi shkëmbyer ide dhe diskutime sa i përket konstitutimit të Kuvendit. Qëndrimet e Partisë Demokratike dhe të mijat janë ato që i dini. Atë që e kam thënë pas çdo dështimi të seancës, ia kam thënë z. Kurti përsëri. Për PDK-në është me rëndësi të zhbllokohet kjo situatë, të konstituohet Kuvendi.

Kreu i PDK-së bëri të ditur se Kurtit i ka sugjeruar “të mendojë për kandidat apo kandidatura të tjera” për kryetar të Kuvendit.

Ne nuk kemi pasur qëndrim mohues apo bllokues. Nuk na takon neve t’ia zgjedhim kandidatin për kryetar të Kuvendit partisë së parë. S’kemi marrëveshje politike.

Krasniqi shtoi se partia e tij është e gatshme të votojë “një figurë që mund të jetë e pranueshme”.

Nënkryetarët as që diskutohen, as që lidhen me diskutimin për kryetar.

Krasniqi nuk ka pranuar të tregojë se çfarë i ka thënë Kurti në përgjigje. Sipas tij, nëse Kurti do që ta zhbllokojë situatën, sot duhet që ta ndërrojë emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit. Deputetët kanë dështuar tetë herë radhazi në përpjekje për ta konstituuar Kuvendin. Procesi ka ngecur pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme për kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit.

Në pesë nga gjashtë votimet për zgjedhjen e Albulena Haxhiut votuan vetëm 57 deputetë, kur i nevojiteshin të paktën 61 vota të nevojshme për t’u zgjedhur. Nga disa parti parlamentare, Haxhiu konsiderohet “figurë përçarëse”, por Vetëvendosje ngul këmbë se ajo është kandidate me meritë.