Rajoni

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës nuk ka marrëveshje për emrin e Albulena Haxhiut!

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka folur para mediave pas takimit që zhvilloi në mëngjes me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Kemi shkëmbyer ide dhe diskutime sa i përket konstitutimit të Kuvendit. Qëndrimet e Partisë Demokratike dhe të mijat janë ato që i dini. Atë që e kam thënë pas çdo dështimi të seancës, ia kam thënë z. Kurti përsëri. Për PDK-në është me rëndësi të zhbllokohet kjo situatë, të konstituohet Kuvendi.

Kreu i PDK-së bëri të ditur se Kurtit i ka sugjeruar “të mendojë për kandidat apo kandidatura të tjera” për kryetar të Kuvendit.

Ne nuk kemi pasur qëndrim mohues apo bllokues. Nuk na takon neve t’ia zgjedhim kandidatin për kryetar të Kuvendit partisë së parë. S’kemi marrëveshje politike.

Krasniqi shtoi se partia e tij është e gatshme të votojë “një figurë që mund të jetë e pranueshme”.

Nënkryetarët as që diskutohen, as që lidhen me diskutimin për kryetar.

Krasniqi nuk ka pranuar të tregojë se çfarë i ka thënë Kurti në përgjigje. Sipas tij, nëse Kurti do që ta zhbllokojë situatën, sot duhet që ta ndërrojë emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit. Deputetët kanë dështuar tetë herë radhazi në përpjekje për ta konstituuar Kuvendin. Procesi ka ngecur pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme për kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit.

Në pesë nga gjashtë votimet për zgjedhjen e Albulena Haxhiut votuan vetëm 57 deputetë, kur i nevojiteshin të paktën 61 vota të nevojshme për t’u zgjedhur. Nga disa parti parlamentare, Haxhiu konsiderohet “figurë përçarëse”, por Vetëvendosje ngul këmbë se ajo është kandidate me meritë.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti thirri në takim liderët e dy prej partive më të mëdha parlamentare, Memli Krasniqin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në përpjekje për ta gjetur një mënyrë për konstituimin e vonuar të Kuvendit. Krasniqi e pranoi ftesën, por LDK-ja e refuzoi.