Rajoni

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës, nis takimi Kurti-Krasniqi!

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti ka thirrur në një takim liderët e dy prej partive më të mëdha parlamentare, Memli Krasniqin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në përpjekje për ta gjetur një mënyrë për konstituimin e vonuar të Kuvendit. Krasniqi e pranoi ftesën, LDK-ja e refuzoi.

Kurti i ftoi për një takim të përbashkët, prej 08:30, rreth dy orë para se të fillojë vazhdimi i nëntë i seancës së konstituimit të parlamentit, siç konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka.

Krasniqi tha se do të shkojë në takim me shpresën se Kurti do të ndryshojë qëndrim në lidhje me propozimin e kandidates për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu. Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, i deklaroi Radios Evropa e Lirë se “nuk marrin pjesë në takim” dhe se kryetari Abdixhiku ndodhet jashtë vendit.

Çfarë po ndodh me zgjedhjet në Kosovë?

Deputetët kanë dështuar tetë herë radhazi në përpjekje për ta konstituuar Kuvendin. Procesi ka ngecur pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme për kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit. Në pesë nga gjashtë votimet për zgjedhjen e Albulena Haxhiut votuan vetëm 57 deputetë, kur i nevojiteshin të paktën 61 vota të nevojshme për t’u zgjedhur. Nga disa parti parlamentare, Haxhiu konsiderohet “figurë përçarëse”, por Vetëvendosje ngul këmbë se ajo është kandidate me meritë.

Prej 15 prillit, ligjvënësit kanë arritur të kalojnë vetëm dy pikat e para të rendit të ditës: miratimin e raportit të Komisionit të përkohshëm për Verifikimin e Mandateve dhe betimin e deputetëve. Deputetët kanë ngecur në pikën e tretë, atë të zgjedhjes së kreut të ri të organit legjislativ. Kandidatja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur të marrë votat e nevojshme. Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e cilësojnë “figurë përçarëse”. Ndërkaq, Lidhja Demokratike refuzon të japë votë për çdo emër të propozuar nga LVV-ja.