Bota

Franca thërret ambasadorin amerikan, shkak letra për rritjen e antisemitizmit!

Franca ka thirrur në takim ambasadorin amerikan në Paris, Charles Kushner, pasi i dërgoi një letër presidentit francez, Emmanuel Macron, duke pretenduar se Franca nuk po bënte mjaftueshëm për të luftuar antisemitizmin. Parisi zyrtar njoftoi se thirri Kushnerin të paraqitej sot në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Evropës, duke thënë se akuzat e tij “janë të papranueshme.”

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Tommy Pigott, u shpreh se iu qëndron komenteve të Kushnerit, duke shtuar:

Ambasadori Kushner është përfaqësuesi i qeverisë amerikane në Francë dhe po bën një punë të shkëlqyer në përparimin e interesave tona kombëtare në atë rol.

Thirrja e ambasadorit është shprehje formale dhe publike e pakënaqësisë. Kushneri është babai i dhëndrit të presidentit Donald Trump, Jared Kushner.

Ministria e Jashtme e Francës në deklaratën e saj tha se “Franca i hedh poshtë akuzat” nga Kushner dhe se autoritetet franceze janë “plotësisht të mobilizuara” për të luftuar rritjen e akteve të antisemitizmit që nga sulmi i Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023, duke i cilësuar këto akte si “të patolerueshme.”

Në letrën e publikuar, Kushner shkruan:

Deklaratat publike që qortojnë Izraelin dhe gjestet drejt njohjes së shtetit palestinez u japin guxim ekstremistëve, nxisin dhunë dhe rrezikojnë jetën hebraike në Francë.

Kushner i bën thirrje Macronit “të veprojë me vendosmëri: t’i zbatojë ligjet kundër krimeve të urrejtjes pa përjashtim, të sigurojë mbrojtjen e shkollave hebraike, sinagogave dhe bizneseve … dhe të heqë dorë nga hapat që i japin legjitimitet Hamasit dhe aleatëve të tij”.

Hamasi është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Akuzat e Kushnerit shkelin të drejtën ndërkombëtare dhe detyrimin për të mos ndërhyrë në punët e brendshme të një vendi tjetër, tha ministria franceze. Ato gjithashtu bien ndesh me cilësinë e partneritetit transatlantik midis Francës dhe Shteteve të Bashkuara dhe me besimin që duhet të mbizotërojë mes aleatëve.

Kjo përplasje ndodh pas refuzimit nga Macron javën e kaluar të akuzave të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, se qëllimi i Francës për të njohur shtetin palestinez po nxit antisemitizmin.

Franca vendi me popullsinë më të madhe hebraike në Evropë, me rreth 500.000 hebrenj është popullsia e tretë më e madhe hebraike në botë pas Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara. Ajo përbën afërsisht 1% të popullsisë kombëtare.