Papa Françesku e kaloi natën mirë: ai fjeti dhe tani po pushon, siç informon Selia e Shenjtë. Në ditën e njëmbëdhjetë të shtrimit në Poliklinikën Gemelli të Romës, Papa vijon në gjendje kritike dhe dje u konstatua një insuficiencë e lehtë renale.
Dje, Papa Françesku iu bëri thirrje katolikëve që të luten për të. Kreu 88 vjeçar i Selisë së Shenjtë nuk ka mundur t’i drejtojë lutjet tradicionale të së dielës, për të dytën javë me radhë. Por, në një mesazh të shkruar ditët e fundit ka thënë se është duke vazhduar trajtimin “në vazhdimësi dhe bindshëm” në Spitalin Gemelli të Romës.
Në mesazhin e djeshëm, Papa falënderoi mjekët dhe punonjësit shëndetësorë në spital, si dhe ata që i uruan shëndet.
Në ditët e fundit kam pranuar shumë mesazhe dashamirëse dhe jam emocionuar sidomos nga vizatimet e fëmijëve. Faleminderit për afërsinë dhe për lutjet që kam pranuar prej gjithë botës dhe ju kërkoj të luteni për mua.
Papa u shtrua në spital më 14 shkurt, pasi pati vështirësi në frymëmarrje për disa ditë. Ndërkaq, është më i rrezikuar nga infektimi në mushkëri për shkak të një infeksioni në rini, që çoi në heqjen e një pjesë të mushkërive në moshën 21-vjeçare.
Papa ka kërkuar që publiku të informohet për shëndetin e tij, prandaj Vatikani ka lëshuar njoftime në baza ditore. Mesazhin e tij të një dite më parë e shfrytëzoi edhe për të përmendur 3-vjetorin e luftës së Rusisë në Ukrainë e që shënohet sot. Të gjithëve iu bëri thirrje të kujtojnë viktimat e konflikteve të armatosura e të luten për “dhuratë paqeje në Palestinë, Izrael, në Lindjen e Mesme, në Mianmar, në Republikën Demokratike të Kongos dhe Sudan”.