Ministrat Damian Gjiknuri dhe Blendi Klosi vijuan turin e llogaridhënies në qytetin e Vlorës. Gjatë takimit me qytetarë Gjiknuri prezantoi edhe planin për ndërtimin e rrugës së re Orikum-Himarë si pjesë e paketës “1 miliard për rindërtim”. Një shpjegim u dha edhe për aeroportin e Vlorës: “Po avancojmë edhe me Aeroportin e Vlorës që siç ju e dini do të ndërtohet në Akërni. Shpresoj që për disa muaj ne ta përfundojmë edhe kontratën dhe pastaj ne të fillojmë procesin e lejeve dhe ndërtimin e aeroportit. Ky investim do të sjellë shumë zhvillim dhe jo vetëm punësim për njerëzit këtu pasi do të ketë shumë shërbime. Do të ketë edhe një rrugë të re që të ketë një lidhje më të mirë të aeroportit me autostradën” tha Ministri Gjiknuri. Ndërsa Ministri i Turizmit Klosi u shpreh optimist që këtë sezon, Vlora do të mirëpresë më shumë vizitorë: “Ajo që kemi bërë gjatë gjithë këtyre kohëve është përgatitja për sezonin turistik. Janë disa arritje në këtë fushë dhe pot ë krahasohet me numrin e turistëve gjithnjë e më tepër shtohet numri. Sot në darkë mbërrin charteri i parë nga Finlanda. Është një arritje në fushën e turizmit në Shqipëri, janë 30 mijë turistë që vijnë për herë të parë në Shqipëri. Duhet që këtë vit sezoni turistik të jetë i mirëmenaxhuar”. u shpreh Ministri Klosi.