Rajoni

Gjykata e Lartë e Kosovës: Qytetarët u faturuan në mënyrë të paligjshme për energjinë e konsumuar në veri!

Gjykata e Lartë e Kosovës rrëzoi si të paligjshme kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, ZRRE kundër vendimit të Apelit sa i përket faturimit të energjisë elektrike për veriun.

Konsumatorët mund të kërkojnë që të kompensohen për energjinë e paguar për veriun.

Në vitin 2017, Gjykata e Apelit e cilësoi “të jashtëligjshme” praktikën që qytetarët e të tjera zonave të Kosovës, të paguajnë për energjinë e konsumuar në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe.

Në vendimin e Gjykatës së Lartë thuhet se “kjo praktikë e faturimit nuk përputhet me Ligjin për Rregullatorin për Energjinë Elektrike pasi nuk u bë trajtim i barabartë i banorëve të katër komunave veriore në raport me pjesën tjetër. I njëjti faturim nuk autorizohet me ligj”. Në vendimin e publikuar sot theksohet:

Andaj bazuar në nenin 194 të LMD (Ligji për marrëdhëniet e detyrimeve), konsumatorët të cilët pa bazë ligjore dhe pa dijeninë e tyre janë faturuar dhe kanë paguar për energjinë e shpenzuar në veri, u lind e drejta për kthimin e shumës së paguar si kanë vendosur gjykatat e instancave më të ulëta.

Lidhur me këtë çështje, Gjykata Themelore e Prishtinës kishte thënë se Shërbimi i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, KEDS “u pasurua pa bazë ligjore, duke faturuar qytetarët për energjinë elektrike në veri, pasi të njëjtën ata nuk e kishin konsumuar”.

Nga përfundimi i luftës e deri në vitin 2017, qytetarët e komunave të tjera të Kosovës kanë paguar për energjinë e konsumuar nga qytetarët në veri.  Më 2021-shin, pas një padie të Avokatit të Popullit, Gjykata Themelore e Prishtinës detyroi ZRRE-në të urdhërojë Shërbimin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike KEDS për kthimin e mbi 40 milion eurove te qytetarët e Kosovës, të cilët në vitet 2012-2017, periudhë kur pati ankesa, paguan energjinë e konsumatorëve në veri.

Gjatë këtij afati kohor, faturat e qytetarëve në të tjera komuna të Kosovës me përjashtim të veriut ishin 3.5% më shtrenjtë. Nga viti 2017, përgjegjësia e pagesës për energjinë e konsumuar në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviç i ka kaluar Qeverisë së Kosovës.