Rajoni

Grenell sulmon Von der Leyen pas vizitës në Kosovë: Gjykata juaj ka mbajtur Presidentin Thaçi për 5 vjet!

Emisari Special i Presidentit Trump për Misionet e Posaçme, Richard Grenell ka reaguar ashpër pas vizitës së Presidentes së Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen në Kosovë.

Grenell i është kundëpërgjigjur një postimi të Von der Leyen në X, ku kjo e fundit teksa ka publikuar foto nga takimi me Osmanin dhe Kurtin, thekson se Kosova duhet të ndërtojë institucione të forta.

Ai nënvizon se Von der Leyen nuk ka reaguar teksa Gjykata e Hagës mban për pesë vite në paraburgim Hashim Thaçin, vetëm se Thaçi po shkonte për të takuar Donald Trump për të krijuar një marrëveshje paqeje që përfshinte shpërbërjen e punës së Jack Smith/gjykatës.

“Gjykata juaj e Hagës e ka mbajtur Presidentin Thaçi për 5 vjet. Si mund t’i shpërndani këshilla gjyqësore ndonjë vendi? Ju qëndruat të heshtur ndërsa Jack Smith arrestoi një President në detyrë, vetëm sepse ai ishte duke shkuar për të takuar Donald Trump për të krijuar një marrëveshje paqeje që përfshinte shpërbërjen e punës së Jack Smith/gjykatës. Është e turpshme se si media e ka injoruar këtë ndjekje penale politike.”, shkruan Grenell në X.

Turi ballkanik i Ursula Von Der Leyen vijoi me Prishtinën. Ai kishte disa qëllime. Së pari të shprehte mbështetjen për integrimin e vendit, si dhe të diskutohej përfitimi nga plani i BE për rritjen 6 miliardë euro.
Von Der Leyen u prit së pari nga Vjosa Osmani, me të cilën diskutoi situatën në Kosovë ndërsa siç Presidenca në Prishtinë tha më vonë, Osmani ka kërkuar që Kosovës ti hiqen sanksionet dhe ti jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE. Njoftimi i Presidencës thotë se të dyja diskutuan edhe për formimin e qeverisë çka nuk ka ndodhur në 7 muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj një të ardhmeje ku të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Unionit tonë. Për këtë, është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë të ndërtojë institucione të forta, dhe të ulë tensionet në vend. Gjithashtu, Kosova duhet të finalizojë hapat e nevojshëm për të përfituar nga Plani i Rritjes”, shkruan Von Der Leyen në mesazhin e saj të shpërndarë në rrjetet sociale.

Turi ballkanik i Ursula Von Der Leyen vijon me Shkupin ndërsa më herët ajo ishte në Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje dhe Serbi.