Ambasada Amerikane në Tiranë njofton për hapjen e aplikimeve për Lotarinë Amerikane prej datës 7 tetor. Ndërkohë theksohet se për plotësimin e aplikimit, afati përfundimtar do të jetë deri më 10 nëntor.
“Regjistrimet për Programin e Lotarisë Amerikane 2022 do të jenë të hapura nga data 7 tetor, 2020, ora 18:00 (ora shqiptare) deri më 10 nëntor 2020, ora 18:00 (ora shqiptare)”, bëhet e ditur nga ambasada.
Çdo vit qindra mijëra shqiptarë aplikojnë për lotarinë amerikane. Detajet mbi procedurat e aplikimit si çdo vit janë publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Sipas rregullave, aplikimi lejohet vetëm një herë për çdo vit për secilin person. DASH përdor një teknologji të sofistikuar për të zbuluar aplikimet e shumëfishta. Nëse kryen më shumë se një aplikim, atëherë s’kualifikohesh.
Pas aplikimit, në ekran do u shfaqet emri juaj dhe një kod unik konfirmimi, ndaj sugjerohet printimi i këtyre të dhënave pasi është shumë e rëndësishme që të ruhet ky kod. Ky kod është e vetmja mënyrë për të marrë instruksione dhe takimet për intervista.
Procedura e regjistrimit nuk ka asnjë kosto, ndërsa sugjerohet që aplikimi të bëhet personalisht dhe jo nga persona të tretë. Nëse dikush tjetër do ta bëjë, atëherë këshillohet që të jeni prezent për të dhënë përgjigje të sakta dhe marrë kodin shumë shifror.