Bota

Hapet ura hekurudhore më e lartë në botë, ja ku ndodhet!

Për të parën herë pas masakrës së turistëve në prill, kryeministri indian, Narendra Modi vizitoi rajonin e kontestuar të Kashmirit për të inauguruar urën më të lartë hekurudhore në botë, Ura e Chenab-it. Kjo vizitë ndodhi vetëm disa javë pas një konflikti të shkurtër, por vdekjeprurës midis Indisë dhe Pakistanit, që shkëmbyen raketa, dronë e zjarr artilerie për katër ditë. India akuzoi Pakistanin për masakrën, një pretendim që Islamabadi zyrtar e mohon.

Ura e Chenab-it, me një gjatësi prej 1 mijë e 315 metrash dhe lartësi 359 metra mbi lumin me të njëjtin emër është 29 metra më e lartë se maja e Kullës Eiffel. Projekti kushtoi mbi 160 milion dollarë dhe është pjesë e lidhjes së parë hekurudhore midis Kashmirit dhe pjesës tjetër të Indisë.

Po ashtu, Modi inauguroi projektin hekurudhor Udhampur-Srinagar-Baramulla, që lidh qytetet kryesore të Kashmirit të administruar nga India me rrjetin kombëtar hekurudhor. Këto projekte infrastrukturore përbëjnë një përpjekje strategjike për të integruar më tej rajonin me pjesën tjetër të vendit.

Që nga ardhja në pushtet në vitin 2014, qeveria nacionaliste e Modit ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të forcuar kontrollin mbi rajonin me shumicë myslimane. Në vitin 2019, New Delhi shfuqizoi nenin kushtetues që i jepte Kashmirit të drejtën për të krijuar ligje vetjake dhe e ndau rajonin në dy territore nën administrim të drejtpërdrejtë.

Rajoni i Himalajeve i pretenduar nga India, Pakistani dhe Kina, mbetet një nga zonat më të militarizuara në botë. Investimet e reja në infrastrukturë, si Ura e Chenab-it, janë përdorur nga Modi si mjete për integrim social dhe ndikim politik në këtë rajon të tensionuar.