Bota

Pakistani nis operacion ushtarak kundër Indisë, sulmon dy baza ajrore!

Pakistani nisi një operacion ushtarak kundër Indisë, pasi e akuzoi për sulme raketore në drejtim të tri bazave ajrore pakistaneze mbrëmjen e djeshme. Kjo lëvizje shënon tjetër përshkallëzim të madh të tensioneve mes dy fqinjëve të armatosur me armë bërthamore. Burime të sigurisë pakistaneze i thanë Radios Mashaal se operacioni mban emrin e koduar “Bunyanun Marsoos”, një fjalë arabe e marrë nga një varg i Kuranit që do të thotë “shtyllë e fortë”.

Ndërkohë, kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, thirri për sot një mbledhje urgjente të Autoritetit të Komandës Kombëtare. Ndër të tjera, ky autoritet merret me çështjen e armëve bërthamore. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, bisedoi me shefin e ushtrisë pakistaneze, gjeneralin Asim Munir dhe i bëri thirrje palëve të gjejnë mënyra për ta shtensionuar situatën.

Rubio ofroi edhe ndihmën e SHBA-ve për të nisur bisedime konstruktive, që të shmangen konfliktet e ardhshme, tha zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Tammy Bruce.

Shërbimi i Forcave të Armatosura të Pakistanit për Marrëdhënie me Publikun (ISPR) deklaroi se u shkatërrua një depo ku India ruante raketat BrahMos. Ushtria tha se ka goditur edhe lokacione të tjera, përfshirë aeroportin ushtarak Pathankot e bazën ajrore Udhampur. Gjithashtu, theksoi se ka hedhur raketa Fatah 1 ndaj dy bazave indiane.

Ushtria indiane e quajti “të papranueshëm” operacionin e Pakistanit.

Përshkallëzimi i hapur nga Pakistani me sulme me dronë dhe municione të tjera vazhdon përgjatë kufirit tonë perëndimor. Sot rreth orës 05:00 të mëngjesit, u panë disa dronë të armatosur mbi Khasa Cantt, Amritsar. Dronët armiq u shkatërruan menjëherë nga njësitë tona të mbrojtjes ajrore.

Burime të sigurisë pakistaneze pretenduan edhe se u krye një sulm i sinkronizuar kibernetik e se energjia elektrike në disa qytete u ndërpre. Të njëjtat burime, që folën në kushte anonimiteti, shtuan se pala pakistaneze ka vendosur të goditen autostradat në Indi, nëse India kryen sulme të tjera.

Njëra nga raketat indiane goditi bazën ajrore Noor Khan në qytetin Rawalpindi. Kjo bazë është selia e ushtrisë dhe ndodhet më pak se 30 kilometra nga objektet kyçe si Shtëpia Presidenciale, Parlamenti dhe rezidenca e kryeministrit në kryeqytetin Islamabad. Në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, menjëherë pas sulmeve të mbrëmjes së 9 majit, drejtori i Përgjithshëm i ISPR-së, gjeneral Ahmad Sharif, tha se penguan një sulm indian që kishte si objektiv bazën ajrore Noor Khan.

Dy raketa të tjera ishin lëshuar drejt bazave ajrore Murid e Shorkot. Sharif pretendoi se India kishte lëshuar disa raketa edhe në Afganistan. Tensionet mes dy fuqive bërthamore janë rritur ndjeshëm që pas një sulmi më 22 prill në një zonë turistike në Kashmirin e kontrolluar nga India, ku mbetën të vrarë 26 civilë, kryesisht turistë hindu nga India.

Qeveria e Indisë fajësoi Pakistanin për mbështetjen e këtij sulmi, por Islamabadi e ka mohuar përfshirjen. India dhe Pakistani, që fituan pavarësinë nga Britania e Madhe në vitin 1947, kanë zhvilluar tri luftëra të plota në vitet 1948, 1965 e 1971, si dhe një konflikt të kufizuar në vitin 1999.

Çështja kryesore mbetet lugina e Kashmirit, që India e konsideron pjesë të pandashme, ndërsa Pakistani e sheh si “çështje të papërfunduar të ndarjes” të nënkontinentit indian. Kashmiri është i ndarë mes tri vendeve me armë bërthamore. India kontrollon rreth 45%, Pakistani rreth 35 dhe Kina, pas një lufte të shkurtër me Indinë në vitin 1962, mban 20%.