Harry Styles ka shkaktuar shqetësim te fansat gjatë koncertit të tij në Wembley, pasi u pa duke u ngufatur me ujë dhe duke u rrëzuar në skenë në mes të performancës.
Ngjarja ndodhi të premten, në një ditë kur Mbretëria e Bashkuar theu për të tretën herë radhazi rekordin e temperaturave më të larta për muajin qershor, me Londrën që arriti deri në 37.5 gradë Celsius.
Në një video të publikuar në TikTok, këngëtari shihet teksa përpiqet të realizojë gjestin e tij të njohur nga fansat si “whale”, ku spërkat ujë në ajër dhe në publik. Megjithatë, pas këtij momenti, ai duket se ngufatet dhe fillon të kollitet.
Pak sekonda më vonë, Harry shihet duke u rrëzuar në skenë, ndërsa vazhdon të kollitet për disa çaste. Pavarësisht incidentit, ai arrin të ngrihet sërish dhe të ulet, duke vazhduar koncertin.
Një spektator i pranishëm ka treguar për Daily Mail se momenti ka qenë shqetësues për publikun:
Teksa Harry po vraponte në skenë për ‘whale’, ai spërkati turmën me ujë, por më pas filloi të kollitej. Ai u rrëzua në skenë dhe qëndroi i shtrirë duke kollitur, por u ngrit shpejt dhe vazhdoi koncertin.
Sipas të pranishmëve, temperaturat e larta e kanë bërë performancën edhe më të vështirë për artistin. Harry është parë i djersitur dhe i detyruar të heqë xhaketën vetëm pak këngë pas fillimit të show-t.
Në një moment, ai është dëgjuar duke thënë me humor:
O Zot, shikojeni këtë! Kam kënduar vetëm dy këngë!
Fansat në rrjetet sociale kanë reaguar menjëherë, duke shprehur shqetësim për gjendjen e tij, por edhe admirim për profesionalizmin e tij, duke theksuar se pavarësisht kushteve ekstreme, ai vazhdon të japë performanca të fuqishme.